Bashkëpunëtorja për kulturë pranë Komunës së Gostivarit, Imërlije Saliu në një konferencë për shtyp shpalosi sot agjendën e aktiviteteve në kuadër të Verës Kulturore – Gostivari 2019 që edhe sivjet mban moton “Mirë se Vini Mërgimtarë”, sepse përkon me qëndrimin e mërgimtarëve në vendlindje.
“Në agjendë janë përfshirë projekte të larmishme kulturore që kanë mbështetje financiare dhe logjistike nga ana e Komunës. E rëndësishme është të theksohet se në këto aktivitete janë përfshirë të gjitha etnitetet që jetojnë në Komunën tonë pa përjashtim, dhe të gjitha përkatësitë fetare. Risi këtë vit është The Park Festival, projekt ky i mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, nga Komuna e Gostivarit si dhe me mjete vetjake të Shoqatës Inbox Entertaiment, të cilën publiku do të mund ta shijojë në dy fundjavët e ardhshme, edhe atë: 26, 27, 28 Korrik dhe 2, 3, 4 Gusht” theksoi Saliu.
Ajo njoftoi se një aktivitet tjetër është “Fly Hike and Bike”, projekt ky i mbështetur nga USAID, ku qytetarët në mënyrë vullnetare do të bashkëngjiten në paraglaiding, ciklizëm dhe ecje në natyrë. “Në kuadër të Verës Kulturore, 4 nga projektet janë të mbështetura financiarisht dhe të organizuara nga vetë Komuna, edhe atë: New Stars Are Coming” – projekt multietnik që ka për qëllim promovimin e artistëve të rinj të qytetit tonë, pastaj Koncerti me Ilahi. Do të kemi edhe Stand up Comedy me Hadsim Memishi Sopi, si dhe manifestimin kushtuar Ditës së Ilindenit”, theksoi në vazhdim Imërlije Saliu.
Ajo sqaroi se në kuadër të aktiviteteve është edhe projekti nga shoqata Bashkërisht Mundemi i titulluar “Sporti na bashkon” ku pjesëmarrës do të jenë njerëzit me aftësi të veçanta. Si dhe konferenca shkencore me temë ”Etnokultura e trevave të Gostivarit” “Siç shihet, hapësirë për bashkëpunim kanë pasur të gjithë shoqatat dhe qytetarët që kanë pasur dëshirë dhe vullnet për bashkëpunim”, nënvizoi Saliu duke i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bëhen pjesë e kësaj agjende, ndërsa mërgimtarëve u dëshiroi qëndrim të këndshëm në vendlindje.