Tetovë, Ministria e Kulturës konfirmon dislokimin e bibliotekës

Një ditë pasi Alsat njoftoi për dislokimin e mundshëm të bibliotekës së Tetovës, nga Ministria e Kulturës thonë se ka tentativë të tillë. Sipas Ministrisë dislokimi eventual i këtij institucionit, do të bëhet me plotësim të kushteve të nevojshme për funksionim.

“Ministria e Kulturës, në vazhdimësi po shikon nevojat e institucioneve nacionale që janë nën ingerencë të saj. Edhe Qendra për kulturë në Tetovë, si dhe biblioteka e Tetovës, janë nën ingerencë të Ministrisë së Kulturës. Në bashkëpunim me ta Ministria e Kulturës është e orientuar në drejtim  të zgjidhjes së problemit me mungesën e hapësirës që është kërkesë e Bibliotekës. Dislokimi i mundshëm, do të jetë me plotësimin e kushteve adekuate  për funksionimin e saj,” deklaruan nga Ministria e Kulturës.

Nga kjo Ministri, nuk sqarojnë se përse do të ndodh ky dislokim, kur dihet se vendi ku planifikohet dislokimi i bibliotekës, sipas të punësuarve, nuk i plotëson aspak kushtet për këtë veprimtari, pasi hapësira e paraparë te Fakulteti i Arteve muzikore, është e ndarë në klasa. Po ashtu, nga ministria në fjalë nuk morën përgjigje se, nga kush do të shfrytëzohet hapësira ku aktualisht është e vendosur biblioteka e Tetovës. Një ditë më parë nga Shtëpia e Kulturës thanë se kjo hapësire, do ‘ti jepet në shfrytëzim delegacionit të BE-së.

“Faktikisht e gjitha është me kërkesë të Ministrisë së Kulturës pas çka Qeveria  pritet të sjellë vendim që në hapësirat ku gjendet Biblioteka e Tetovës, do të vendoset Delegacioni i Bashkësisë Evropiane, kurse në pjesën tjetër do të kalojë Biblioteka e Tetovës. E njëjta do të kalojë aty ku aktualisht gjendet Fakulteti i Arteve të Universitetit të Tetovës,” tha Vullnet Fejzullahu, Shtëpia e Kulturës “Iljo Anteski Smok”.

Ndryshe, sipas përgjegjësve në Shtëpinë e kulturës dhe bibliotekën e Tetovës, në ditët në vijim pritet që të merret vendimi i dislokimit të Bibliotekës nga Qeveria dhe i njëjti të kalojë në realizim. /alsat.mk