E duam kulturën, por nuk duam të paguajmë për të

Rilind Dauti

Nga përvoja ime modeste në Shkup kam zbuluar se:
-Salla e teatrit mbushet përplot, nëse hyrja është falas,
-Njerëzit shkojnë për të dëgjuar muzikë klasike nëse hyrja është e lirë,
-Librin që ua dhuron, shumica e lexojnë dhe madje të japin feedback,
-Filmat dhe serialet shqip në YouTube dhe uebfaqe tjera kanë mjaft shikueshmëri,
-Njerëzit nuk shikojnë vetëm telenovela koti, por edhe seriale me vlera artistike në uebfaqet piraterike.

Pra, njerëzit e duan kulturën, por iu dhimbsen që për kulturë të paguajnë nga xhepi. Kështu që, ja disa rekomandime:

Sa i përket teatrit dhe koncerteve, zgjidhja kryesore për këtë është që hyrja të jetë e lirë, por të ketë më shumë mbështetje institucionale. “Pagesë e biletës” le të konsiderohet fakti që buxheti i Ministrisë së Kulturës mbushet nga taksat e qytetarëve.

Sa i përket librave, përveç mbështetjes nga Ministria e Kulturës për botimin e librit, do të ishte mirë që pas botimit kopjet e librit të blihen nga kompanitë private, pastaj në promovim të librit të ketë shpërndarje falas me një sticker ku shkruan që kjo shpërndarje është mundësuar nga akëcila kompani. Dhe në gift bag për përvjetor, për Vitin e Ri, etj. mos të vendosin vetëm official merchandise si stilografat dhe notesat por edhe ndonjë libër.

Kompanitë janë mundësi e mirë edhe si klientë të hapësirës reklamuese nëpër filma dhe seriale. Product placement është mundësi e shkëlqyeshme për reklamë nëse bëhet në mënyrë elegante (e jo e sforcuar deri në cringeworthiness, siç bëhet zakonisht te shiptarnhanja).

Për fund, do të ishte mirë që edhe artistët të jenë më pak materialistë dhe më shumë zemërgjerë. Artin le ta konsiderojnë si mjet për fisnikërimin e njerëzve, për ngritje të vetëdijes, dhe në përgjithësi për ndryshim pozitiv shoqëror.