Shkruan: Fitim Nuhiu
Me datë 21 shkurt, u mbajt shfaqja teatrale në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, me regji të Kastriot Saqipit, e shkruar nga Mexhid Mehmeti, ku pati një publik tepër të interesuar, afro 800 persona. Duke pasur parasysh zbrazjen e popullsisë së Luginës së Preshevës, këtë interesim të publikut do ta quaja revolucionar, sepse dëshmoi që Presheva edhe përkundër asaj që njerëzit po e braktisin këtë vend, ajo akoma tregon se gjallon artistikisht dhe nderon teatrin.
Publiku i sotëm, sidomos të rinjtë, nuk është që parapëlqejnë shfaqje të tilla me përmbajtje historike, balada të tilla që i ka shkruar e i ka qëndisur populli, duke thënë se i ka dalur boja, por ndryshe ishte me shfaqjen në fjalë. Regjisori, skenari, trupa e aktorëve aq mirë ishin të përgatitur dhe performuan në mënyrë ekselente sa që ishin në sinkron me shijen e publikut të sotëm, pa mos hequr mesazhin që ngërthente vetë historia tragjike në fjalë.
Kjo dramë ishte në formatin e dramatizimit me motive nga balada popullore “Hasan Aga dhe Çika potureshë”. Tematika e shfaqjes ishte dashuria dhe vdekja, gjegjësisht vdekja për dashuri, një Romeo dhe Zhuliet në versionin shqiptar, një dashuri e mohuar nga fanatizmi dhe primitivizmi social që ka dominuar atëbotë.
Qasja postmoderniste që pati shfaqja në fjalë zgjoi edhe më shumë kurreshtjen e publikut se çka do të ngjan më pas, duke pasur befasira dhe të papritura të ndryshme, brenda tragjedisë gëlonte edhe komedia, kishte skena që të bënin të qaje, por edhe pas një minuti të bënte të vdisje së qeshuri, pikërisht kjo gjë e mbante publikun të zgjuar se çka do të pason më pas edhe pse e dinin fundin tragjik të Hasan Agës, të njohur nga historia popullore.
Realizimi artistik ishte i përkryer, ku secili aktor luante më mirë se tjetri, sikur garonin në performancën e tyre artistike natyrale.
Shfaqje të tilla, japin mesazhe të shumta, si psh. që idetë prapanike fatkeqësisht akoma jehojnë mes nesh nga historia, se ekzistojnë shtresat e ndryshme sociale dhe përqeshja me to, privimi i dashurisë së çiltër dhe të sinqertë, shkelja e të drejtave të grave, besatimi, etj. Një gjë që më bëri përshtypje ishte se “Hasan aga” kishte emër, kishte identitet kurse “Çika potureshë” jo. Ndoshta edhe kjo dëshmon nivelin e barazisë gjinore se sa larg ka qenë dikur mes nesh, por druaj se aty këtu edhe sot mund të gjendet diçka e tillë.
Meqë jemi, përgjithësisht, shoqëri e vonuar, jo të emancipuar sa duhet,vetvetiu më lindin disa pyetje retorike naive:
– Sa teatri emancipon një publik të caktuar?
– A ekziston qasja që teatri të jetë edhe si terapi psiko-sociale kolektive?
– A është teatri një pasqyrë, një vetë-reflektim, ku secili prej nesh sheh veten e tij dhe të bësh ta rimendosh veten dhe mendësinë që kemi…?!