“Konvikti i Tetovës i gatshëm për këtë vit akademik” – do të ketë konkurs të veçantë pranimi, paralajmëroi Shaqiri

Pranimi i studentëve në Konviktin Studentor të Tetovës pritet të bëhet më 1 tetor të këtij viti. Edhe pse konkursi për pranim në konvikte studentore për vitin akademik 2023/24 ka mbaruar, për këtë konvikt pritet të shpallet konkurs i veçantë, pasi në rrjedhë janë disa procedura tjera, kështu njoftoi ministri i Arsimit – Jeton Shaqiri për Portalb.mk.

Konkursi për pranimin në konvikte për studentët nga vitet e dyta e lartë ishte i hapur nga 17.07.2023 deri më 31.07.2023. Mirëpo në këtë konkurs, konvikti i Tetovës nuk figuronte.

Konkurs për pranimin e studentëve të regjistruar në studime deridiplomike në konviktet shtetërore për studentë dhe konviktet private për akomodim në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin studimor 2023/2024
Konkurs për pranimin e studentëve të regjistruar në studime deridiplomike në konviktet shtetërore për studentë dhe konviktet private për akomodim në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin studimor 2023/2024. Burimi: MASH

Sot, ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri përmes një njoftimi njoftoi se nga 1 tetori në Konviktin e Tetovës do të qëndrojnë rreth 300 studentë dhe se i njëjti figuron në listën e konvikteve shtetërore si KSHS Tetovë ku studentët aplikojnë online.

Për këtë, Portalb.mk kontaktoi me ministrin, referuar asaj ku Shaqiri në njoftimin e tij thotë se konvikti i Tetovës figuron në listën e konvikteve shtetërore si KSHS Tetovë ku studentët aplikojnë online, ministri tha se kjo i referohet listës të cilën ka ministria ku procedurat kanë filluar më herët, duke ripërsëritur se për këtë konvikt do të shpallet konkurs i veçantë për pranim të studentëve.

“Konvikti është kompletuar nga të gjitha aspektet, është kompletuar i gjithë dokumentacioni për në Qeveri, dhe krijohet si institucion në Qeveri. Brenda kësaj kohe – rreth 20 ditësh konvikti do të jetë edhe i regjistruar në Regjistër Qendror  dhe në gjithë institucionet tjera”, tha mes tjerash Shaqiri për Portalb.mk.

Maratonë premtimesh për konviktin studentor

Ky konvikt premtohet nga viti 2016, në ditën kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i këtij konvikti, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti.

Përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u mor në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill/maj të atij viti.

Por edhe në këtë afat kohor nuk u bë. Më pas, nga MASH thanë se konvikti duhej të përfundonte në fund të vitit 2021, por edhe kjo nuk u bë.

Në fillim të vitit 2022, ministri aktual, Jeton Shaqiri deklaroi se konvikti pritej të jetë gati për semestrin i cili filloi tetorin e vitit të kaluar, që edhe kjo nuk u bë.

Ndërkaq premtimi më i fundit është se konvikti do të lëshohet në përdorim në tetor të këtij viti për vitin akademik 2023/24.

Ndryshe, mungesa e konviktit studentor përbën problem për shumë studentë të huaj pasi sipas tyre çmimet e banesave private janë të shtrenjta dhe mbulimi i harxhimeve është i jo i lehtë për studentët. Ndërsa gjetja e një apo më shumë cimeri/je për të bashkëjetuar dhe ndarë harxhimet nuk është gjithmonë e lehtë.