Konkursi për konvikte i MASh-it: Në konviktin e Tetovës pranimi me kusht – nëse konvikti do sigurojë kushte pune deri në tetor

Pavarësisht se ministri i Arsimit – Jeton Shaqiri, dje shpërndau njoftimin se në tetor konvikti studentor në Tetovë do të jetë gati për të pritur studentët, madje ministri edhe për Portalb.mk tha se konvikti pritet të jetë gati dhe se kanë mbetur vetëm disa procedura finale të përfundohen, në konkursin zyrtar të Ministrisë së Arsimit qëndron se pranimi në këtë konvikt do të jetë me kusht, pra nëse konvikti do të sigurojë kushte për punë deri më 1 tetor 2023.

Konvikti Shtetëror i Tetovës deri sot nuk figuronte në Konkursin për pranimin e studentëve në konviktet studentore për vitin akademik 2023/24. I njëjti u fut sot në listë nga MASh-i, një ditë pas pyetjeve të Portalb.mk drejtuar këtij institucioni se përse ky konvikt nuk figuron në listë, me që ministri dje njoftoi se “ ky konvikt veç më figuron në listën e konvikteve shtetërore si KSHS Tetovë ku studentët aplikojnë online”, por kjo nuk figuronte në konkurs, siç edhe mund të shihet në listën e konvikteve nga konkursi të verifikuar dje nga Portalb.mk. Në këtë listë figuronte vetëm konvikti i UEJL-së por jo edhe konvikti shtetëror studentor.

Por, sot Ministria e Arsimit duke na u përgjigjur në pyetjen tonë njoftoi se konvikti studentor shtetëror i Tetovës i është bashkëngjitur kësaj liste. Verifikuam linkun e konkursit dhe aty figuron edhe konvikti shtetëror i Tetovës.

Megjithatë, në konkurs theksohet:

“Studentët të cilët aplikojnë për akomodim në KSHS Tetovë do të pranohen me kusht në konvikt në qoftë se i njëjti siguron kushte për punë deri më 01.10.2023”

Konkurs për pranimin e studentëve të regjistruar në studime deridiplomike në konviktet shtetërore për studentë dhe konviktet private për akomodim në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin studimor 2023/2024. Burimi: Printscreen (08.08.2023) nga Konkursi i MASH

Nga ana tjetër, dje ministri i Arsimit – Jeton Shaqiri deklaroi publikisht në faqen e tij zyrtare të Facebookut se konvikti do të jetë gati për vitin akademik 2023/24.

“Konvikti është kompletuar nga të gjitha aspektet, është kompletuar i gjithë dokumentacioni për në Qeveri, dhe krijohet si institucion në Qeveri. Brenda kësaj kohe – rreth 20 ditësh konvikti do të jetë edhe i regjistruar në Regjistër Qendror dhe në gjithë institucionet tjera”, deklaroi dje Jeton Shaqiri për Portalb.mk.

Madje lavde për këtë në rrjetin e tij Facebook thuri edhe zëvendëskryeministri – Artan Grubi, i cili dje shkroi:

“Edhe një punë e madhe përfundoi, edhe një tjetër premtim u realizua. Nga ky vit akademik, studentët e Universitetit të Tetovës do të qëndrojnë në konviktin e tyre të ri.”

Në këtë konvikt sipas konkursit, janë të paraparë të pranohen 300 studentë edhe atë 60 nga viti i parë dhe 240 nga vitet e dyta e lartë.

Studentët të cilët aplikojnë në Konkurs duhet të plotësojnë fletëaplikim elektronik dhe t’ia bashkëngjisin dokumentacionin përkatës në internet portalin http://e-uslugi.mon.gov.mk.. Studentët mund të konkurrojnë për pranim vetëm për një konvikt studentor. Afati për aplikim i të gjithë studentëve zgjat deri më 11.09.2023. Nëse pas publikimit të listave përfundimtare me studentët e pranuar në konvikte, nëse mbeten vende të paplotësuara për akomodim në ndonjë konvikt, aplikimi do të vazhdojë deri në plotësimin e të njëjtave, por më së voni deri më 30.11.2023.

Maratonë premtimesh për konviktin studentor

Ky konvikt premtohet nga viti 2016, në ditën kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i këtij konvikti, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti.

Përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u mor në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill/maj të atij viti.

Por edhe në këtë afat kohor nuk u bë. Më pas, nga MASH thanë se konvikti duhej të përfundonte në fund të vitit 2021, por edhe kjo nuk u bë.

Në fillim të vitit 2022, ministri aktual, Jeton Shaqiri deklaroi se konvikti pritej të jetë gati për semestrin i cili filloi tetorin e vitit të kaluar, që edhe kjo nuk u bë.

Ndërkaq premtimi më i fundit është se konvikti do të lëshohet në përdorim në tetor të këtij viti për vitin akademik 2023/24.

Ndryshe, mungesa e konviktit studentor përbën problem për shumë studentë të huaj pasi sipas tyre çmimet e banesave private janë të shtrenjta dhe mbulimi i harxhimeve është i jo i lehtë për studentët. Ndërsa gjetja e një apo më shumë cimeri/je për të bashkëjetuar dhe ndarë harxhimet nuk është gjithmonë e lehtë.