U shpall Кonkursi për pjesëmarrjen në financimin e projekteve për Manifestimin “Vala e re kulturore” në vitin 2019

Me qëllim që të sigurohet demetropolizimi i kulturës së kryeqytetit dhe disperzionit të saj në mjediset lokale dhe pasurimi, intensifikimi dhe rigjallërimi i ofertës kulturore, Ministria e Kulturës sot e shpalli Konkursin për pjesëmarrjen në financimin e projekteve për Manifestimin “Vala e re kulturore” në vitin 2019.

Manifestimi, të cilin Ministria e Kulturës do ta realizojë përmes Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka për qëllim ta stimulojë dhe aktivizojë skenën e pavarur kulturore dhe të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë.

Të drejtë për të marrë pjesë në Konkurs, i cili do të zgjasë deri më 30 gusht kanë shoqatat e qytetarëve, asociacionet, grupet joformale dhe autorët në fushën e kulturës. Në këtë mënyrë do të sigurohet “kultura për të gjithë”, me një përfaqësim të barabartë gjeografik në të gjitha rajonet e planifikimit.

Propozim-projektet mund të jenë nga njëra prej fushave të krijimtarisë artistike, siç janë: ekspozitat e pavarura dhe grupore; koncertet solo, kamertale, simfonike dhe folklorike, koncertet rok dhe xhaz; shfaqjet teatrale dhe projeksionet filmike ose përmbajtjet të kenë karakter multimedial dhe ndërdisiplinor (veprime, ndërhyrje arti në hapësirën urbane, ngjarje, shfaqje, etj.). Lokacionet për mbajtjen e tyre mund të jenë në hapësirat publike dhe alternative, si dhe në objektet dhe hapësirat jofunksionale dhe të rrënuara të cilat mund të “rindërtohen” dhe të ‘ristaurohen” si skena artistike.

Përparësi do të kenë projektet e vogla të lëvizshme, të cilat planifikohen si veprimtari për disa mjedise lokale rajonale dhe zbatohen me bashkëpunimin ndërmjet shoqatave dhe individëve të sektorit joqeveritar, ndërsa në të përfshihen artistët e skenës vendore. Përparësi do t’u jepet gjithashtu bartësve të projekteve që nuk janë financuar në bazë të Programit Vjetor me interes nacional në fushën e kulturës për vitin 2019 ose që i kanë përfunduar projektet me të gjitha fazat.

Paraqitja në Konkurs bëhet me dërgimin e fletëparaqitjes së plotësuar, e cila duhet të merret nga faqja e internetit e Ministrisë së Kulturës (www.kultura.gov.mk).

Manifestimi “Vala e re kulturore” do të mbahet nga 20 shtator deri më 15 nëntor.