Shkup, akademi shkencore në 100-vjetorin e vdekjes së Kolë Bojaxhiut

????????????????????????????????????

Në 100-vjetorin e vdekjes së veprimtarit Kolë Bojaxhiu, i ati i humanistes së madhe shqiptare Nënë Tereza, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe IN Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës – Shkup, organizuan Akademi shkencore.

Ky eveniment u zhvillua në ambientet e IN Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës – Shkup, ku në fillim të pranishmit i përshëndeti drejtori i këtij institucioni, Arian Asllanaj, i cili tha se në 100-vjetorin e mungesës fizike të Kolë Bojaxhiut, bashkë me Institutin kemi vlerësuar se kjo figurë meriton një përkujtim dhe përkushtim të këtillë serioz.

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, tha se përmes gjurmimit të së kaluarës sonë, e argumentojmë qëndresën tonë ilire-arbërore-shqiptare, dhe në këtë mes bën pjesë edhe trashëgimia e pasur katolike shqiptare. “Me figurën e Kolë Bojaxhiut ne si historianë dhe si historiografi shqiptare po fillojmë t’i shtjellojmë figurat lokale tonat të cilat kanë bërë jehonë në arenën gjithëkombëtare, por dhe botërore. Jo rastësisht ne e kemi organizuar këtë konferencë që ta argumentojmë dhe ta kthejmë vëmendjen drejt Shkupit përmes familjes Bojaxhiu, sepse bota po na njeh pikërisht përmes figurës së madhe të Shën Terezës”, tha Asani.

Pjesë aktive e organizimit të kësaj Akademie shkencore, ishte edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, me në krye ambasadorin Gjergj Dedaj, i cili tha se shqiptarët janë ndër të rrallët popuj në botë, që botës i kanë dhënë figura të mëdha. Ai u shpreh i entuziazmuar me angazhimet e fundit institucionale për t’u zbardhur e vërteta e shqiptarëve të vjetër të Shkupit.

Biografi personal i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, Vikar Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës me seli në Prishtinë, paraqiti një jetëshkrim të hollësishëm të Kolë Bojaxhiut, me gjithë veprimtarinë e tij të gjerë shoqërore-kulturore në Shkup.

Ndërsa, Mehmet Prishtina, pinjoll i familjes së Hasan Prishtinës, rikujtoi se ditën e çlirimit të Shkupit me 12 gusht 1912 nga ana e kryengritësve shqiptarë të prirë nga Hasan Prishtina, Kolë Bojaxhiu kishte organizuar një pritje të veçantë për çlirimtaret, me bandën muzikore “Zana e Maleve”.

Të pranishmi i përshëndeti edhe përfaqësuesi i familjeve katolike në Shkup, Anton Sereçi, dhe më pas prezantuan studiuesit nga institutet shkencore të Prishtinës e Tiranës, të cilët në veçanti u ndalën rreth kontributit të madh shumëdimensional të Kolë Bojaxhiut në Shkup.

Të pranishmit më pas bënë homazhe para varrit të Kolë Bojaxhiut në varrezat e Butelit në Shkup.