Tetovë, u realizua stand-up komedia “Ballkanibalizëm”, ja si e analizon shfaqjen Latif Mustafa

Gjatë mbrëmjes së djeshme, në Tetovë, u mbajt stand-up komedia “Ballkanibalizëm” me regji të Sabedin Selmanit dhe aktores Ajshe Useinit!.

Prezent në këtë mbrëmje ishte, filozofi, Latif Mustafa, i cili në murin e tij, në rrjetin social facebook, ka analizuar përmbajtjen e shfaqjes, si dhe përshtypjet e fituar nga e njëjtë.

“Komedinë gjithmonë e kam konceptuar si hiperbolizim të përditshmërisë së ikur nga vëmendja. Komedia nuk është thjeshtë një lojë fjalësh të një gastori, por mjeshtëri për ta kapur dhe përkujtuar njerëzoren. E qeshura është akt i pavullnetshëm, rrokje e të njerëzishmes pa emocion, në skutat edhe më të thella të përditshmërisë sipërfaqësore. Kështu e perceptova edhe mbrëmë, komedinë, në stand-up komedinë “Ballkanibalizëm” me regji të Sabedin Selmanit dhe protagonistes, yllit të mbrëmshëm, Ajshe Useinit! Fillimisht më intrigoi ambiguiteti semantik dhe etimologjik i Ballkanibalizëm, si Ballkan – Kanibalizëm dhe si Ballkan – Balizëm.
Ballkanibalizëm ishte një kritikë mbi modernitetin me nuanca lokale dhe provinciale. Momente më kulminante tërheq vëmendje për seriozitetin e komedisë dhe rëndesën e kritikës rreth fenomeneve politike, ekonomike dhe sociale. Politikani i sotëm, institucionet, aktivisti i lodhun partiak, mërgimi, të jetuarit çençe dhe përshkrimi stereotipor i popujve Ballkanik, ishin kritika në sensin kolektiv. Në perspektivën individuale të kritikës dallohej fort ideja e lirisë dhe pamundësia për të dalë nga fati i trashëguar prindëror, raportet midis gruas-burrit, absurditeti i seksit dhe rënkimi për rikthimin e lavdishëm të intimitetit si një gjë e shenjtë, si vlerë e humbur. Një nocion tjetër që u reflektua në sens komik ishte edhe hegjemonia. Hegjemonia. Edhe atë në kuptimin e dominimit dhe kontrollit total në nuanca të potencialiteti dhe aktualiteti. Si aktualitet, pra, si gjë e arritur dhe kompletuar, shpjegoj teknokracia dhe ndikimi i saj i fuqishëm në kontesktualitetin njerëzor dhe provincializmi në botëkuptimin e marrëdhënieve njerëzore, politike dhe të seksualitetit. Kurse hegjemoni potenciale, që pritet të realizohet dhe të bastardoj gjithçka, madje edhe humorin dhe komedinë, me nuanca të holla kritike dhe ironike u trajtua dhe fenomeni i “korrektesës politike” gjegjësisht, LGBT-së.
Dy gjërat më të pëlqyeshme ishin: ankimi dhe rënkimi për naiven, intimen, idiliken; dhe kumti për njerëzoren.
Po deshët të vdisni së qeshuri, të kapni ca momente të pavedijshmërisë sonë njerëzore, mos e leni t’ju ik kjo komedi.