Schoolture TV

Dritare kulturore për të rinjtë

U hap Shtëpia e Kulturës “Shota” në fshatin Negotinë, Komuna e Vrapçishtës

Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, së bashku me kryetarin e Komunës së Vrapçishtës, Isen Shabani, sot morën pjesë në lëshimin solemn në përdorim të Shtëpisë së Kulturës në fshatin Negotinë, Komuna e Vrapçishtës.
Në fjalimin e tij para qytetarëve të pranishëm, ministri Ismaili theksoi se rinovimi i Shtëpisë së Kulturës është një realizim konkret i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm të pushtetit qendror me pushtetin lokal.
“Projekti për rinovimin e Shtëpisë së Kulturës “Shota” që u realizua me mjetet e Ministrisë së Kulturës në kuadër të Programit për dotacione kapitale për njësitë e vetëqeverisjes lokale në fushën e kulturës dhe me mjetet e Komunës së Vrapçishtës, paraqet edhe një argument me të cilën kjo komunë do të ketë një hapësirë të re për të zhvilluar një numër të madh përmbajtjesh të ndryshme në fushën e kulturës, bibliotekës, shfaqjeve të kinemasë, shfaqjeve teatrale, evenimenteve muzikore, ekspozitave dhe paraqitjeve të artistëve të shumtë”, tha ministri i Kulturës.


Ai i përshëndeti përpjekjet e kryetarit të Komunës së Vrapçishtës për mbështetjen altruiste të projektit përmes të cilit stimulohet zhvillimi kulturor, dhe njëkohësisht e shpreh edhe bindjen që Ministria e Kulturës do t’i mbështesë aktivitetet programore që do të zhvillohen në këtë institucion lokal në fushën e kulturës.
Shtëpia e Kulturës “Shota” ishte ndërtuar në vitin 1978 me iniciativën e banorëve të fshatit Negotinë, Pollog, në formë të vetëkontributit. /Schoolture.info/