Të hënën hapet edicioni i 38-të i seminarit
Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare vazhdon të ruajë traditën e vet. Këtë të hënë kur edhe zyrtarisht hapet edicioni i 38-të, seminari mbush 45 vjet. Seminari do të mbledhë në Prishtinë studiues të shumtë nga vende të ndryshme.
Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi, në një intervistë për kp, thotë se edhe këtë vit interesimi i studentëve për të mësuar gjuhën shqipe është i madh. Teksa thotë se nuk është i vogël numri i studiuesve që do të marrin pjesë në sesionet dhe tryezat shkencore. Ai tregon se ka seminaristë dhe studiues që marrin pjesë në këtë seminar për vite me radhë. E 45 vjetori i seminarit, sipas Munishit do të jetë i pasur me një laramani temash që kanë nxitur kërshërinë e pjesëmarrësve.
“Të hënën në orën 11:00, e kemi hapjen e edicionit të 38-të të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili do të mbahet nga data 19 deri më 30 gusht. Përgatitjet janë në fazën e fundit dhe mendoj se të hënën do të jetë gjithçka e gatshme për të filluar me këtë edicion të seminarit”, thotë ai.
Munishi thotë se ka një numër të konsiderueshëm të pjesëmarrësve. Teksa bën të ditur se edhe këtë vit seminaristët vijnë nga vende të ndryshme të botës.
“Kemi pasur mbi 130 kërkesa të atyre që kanë qenë të interesuar për të marrë pjesë në seminar. Kryesisht studentë, të cilët duan ta mësojnë gjuhën shqipe. Krahas kësaj, ka mbi 70 punonjës tjerë shkencor që do të marrin pjesë në aktivitetet shkencore, të cilat organizohen në kuadër të seminarit”, thekson ai.
Ai tregon se në kuadër të seminarit do të ketë kurse të gjuhës shqipe në tri nivele, në nivelin e parë, të mesëm dhe atë të lartë. Përveç kurseve, në kuadër të aktiviteteve shkencore, Munishi thotë se do të ketë edhe ligjërata e tryeza të ndryshme që do të mbahen nga profesorë të ndryshëm. E krahas këtyre, thekson se do të ketë edhe referime shkencore.
“Do të organizohet një tryezë shkencore me rastin e 330 vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit. Një tjetër tryezë shkencore për 200 vjetorin e lindjes të shkrimtarit arbëresh Anton Santorit. Do të shënohen përvjetorët e vdekjes së dy albanologëve të shquar, të profesorit amerikan Eric Hamp dhe të themeluesit të seminarit, prof. Idriz Ajetit”, tregon ai.
Ai bën të ditura edhe temat kryesore të seminarit për sesionet shkencore.
“Në fushën e gjuhësisë, tema e sivjetme do të jetë ‘struktura e shqipes aktuale’; në fushën e letërsisë, tema bosht e sesionit do të jetë ‘si ëndërrohet në letërsinë shqipe’; ndërkaq, në fushën e kulturologjisë, tema bosht e sesionit do të jenë ‘rrjetet sociale, politika dhe etika”, bën të ditur ai. E sikurse edhe viteve tjera, Munishi thotë se interesimi më i madh i pjesëmarrësve vazhdon të mbetet për gjuhën dhe letërsinë shqipe. Ai flet edhe për rëndësinë e këtij seminari.
Sipas tij, rëndësia e Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare qëndron në traditën që ka krijuar ky seminar.
“Janë 45 vite që kur ka filluar organizimi i seminarit. Janë 38 edicione të seminarit. Në këtë mënyrë, seminari është shndërruar në ngjarjen kryesore në fushën e albanologjisë. Në seminar, vijnë studiues të huaj dhe shqiptarë, të cilët në punimet e tyre kryesore, kontributin e tyre kryesor e paraqesin në kuadër ë seminarit. E pastaj të gjitha këto përmblidhen në punime të cilat pastaj botohen në revistën e seminarit, pasi ta kenë kaluar shqyrtimin që ua bëjnë recensentët”, thotë ai.
Ndryshe, hapja solemne e Seminarit XXXVIII do të bëhet të hënën, ndërsa punimet do të zhvillohen në Prishtinë deri më 30 gusht./rtv21