“Rrugët e Besimit”, kantier restaurimi në xhaminë Mbret në Berat (FOTO)

 Xhamia Mbret ose Xhamia e Sulltanit, një nga xhamitë kryesore të qytetit të Beratit, ndodhet në qendër të qytetit si pjesë e një kompleksi arkitekturor ku veç saj janë dhe teqeja e Helvetive me gjithë konakët, si dhe ajo e Sheh Qerimit.
Në kuadër të programit të Ministrisë së Kulturës “Rrugët e Besimit”, Xhamia Mbret, Berat po i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese, të financuara nga Agjencia Turke për Zhvillim (TIKA) dhe e mbikëqyrur nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me disa fotografi nga kantieri i restaurimit të kësaj xhamie.
“Mirëmëngjes dhe me këto foto nga kantieri i restaurimit të xhamisë Mbret në Berat, pjesë e programit “Rrugët e Besimit” që mundëson restaurimin e objekteve të Kultit si pjesë e zhvillimit të Turizmit Kulturor, ju uroj një javë të mbarë”, shprehet Rama.
Xhamia Mbret është një nga objektet e kultit islam më të rëndësishëm në qytetin e Beratit dhe monument kulture i kategorisë I e shpallur që në vitin 1948. Ajo është pjesë e kompleksit të Qendrës Islamike dhe është ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II në fund të shekullit XV.
Projekti i restaurimit është hartuar në bashkëpunim me specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe parashikon restaurimin e plotë të xhamisë.