Në Dibër mbrëmë u mbajt mbrëmja e parë e edicionit të 25-të të Festivalit folklorik “Oda dibrane”, që tradicionalisht mbahet në qytetin kufitar të Shqipërisë, Peshkopi.
Festivalin e shpallën të hapur kryetarët e komunave të Dibrës dhe Peshkopisë, Hekuran Duka dhe Dionis Imetaj.
“kam nderin që ky manifestim i rëndësishëm, i cili u takon të gjithë shqiptarëve, edhe këtë vit fillon mu në qytetin tonë – Dibrën e madhe, e cila është e njohur si vend i artit dhe krenarisë. Ky manifestim kontribuon në mbrojtjen e pasurisë folklorike shqiptare”, deklaroi mes tjerash kryetari i Komunës së Dibrës, Hekuran Duka.
Për kolegun e tij nga Peshkopia, Imetaj, ky festival folklorik është shumë i rëndësishëm në kultivimin e traditave folklorike dhe prezantimit të veshjeve të pasura kombëtare.
Të parët para publikut interpretuan nikoqirët, vëllezërit Ibrahim dhe Elmaz Lala, të cilët nën shoqërimin e instrumentit popullor – qiftelisë, interpretuan këngë të vjetra dibrane.
Me këngë dhe valle u prezantuan ansamble folklorike shqiptare nga Tetova, si dhe nga qytetet shqiptare si Tirana, Lura dhe Korça.
Festivali “Oda dibrane” për herë të parë është mbajtur në vitin 1994 në qytetin kufitar të Peshkopisë, i cili është larg Dibrës 23 kilometra, ndërsa prej vitit 2014 mbrëmja e parë e festivalit mbahet në Dibër.
Në dy ditët në vijim festivali vazhdon në Peshkopi, me interpretimin e grupeve dhe ansambleve folklorike nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi, ndërsa do të përfundojë me ndarjen e çmimeve për më të suksesshmit.
Festivali është manifestimi më i madh i folklorit shqiptar, pas atij që mbahet në qytetin jugor shqiptar, Gjirokastër.