Shkolla e Çegranit të Gostivarit dikur kishte 2400 nxënës, sot vetëm 475 nxënës

Shkolla fillore “Përparimi” e Çegranit të Gostivarit dita ditës po zbrazet nga nxënësit. Shkak për këtë është shkuarja e familjeve në kurbet, por edhe atyre që shpërngulen për të jetuar në Gostivar, raporton LajmTV përmes një kronike të realizuar. “Më ka ikur një shoqe dhe më ka mërzitur shumë. Ajo ka shkuar në Gjermani”, tha Erina. Mungesën e shokëve dhe shoqeve të klasës e ndjejnë edhe nxënësit e tjerë. Numri më i madh i atyre që largohen nga ky fshat, ikin drejt vendeve të Evropës, por ka edhe të tillë që shkojnë për të jetuar edhe në qytet. “Më mungon një shok që quhet Agon, i cili ka shkuar në Gjermani, tani kam një shok tjetër këtu në bankë”, tha një nxënës. Dekada më pare kjo shkollë kishte 2400 nxënës, sidomos në vitet e 70-ta të hapjes së saj, ndërsa sot ka ngelur pa afër 2 mijë nxënës. “Klasë ka por, nxënës nuk ka”, tha Imer Abdurraimi, u.d i drejtorit të kësaj shkolle. Për dallim nga viti i kaluar kur në shkollën fillore “Përparimi” mësonin 514 nxënës, sivjet ky numër është 475 apo 39 nxënës më pak. “Në 15 vitet e fundit numri i nxënësve është përgjysmuar. Është fenomen i përgjithshëm, nuk është vetëm në Çegran, por këtu ndjehet më shumë dhe kjo na shqetëson shumë”, tha Zani Memedi, arsimtar. /Gazeta LAJM