Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, mbajti fjalim në Edicionin e 58-të të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë

Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, mbrëmë në Strugë mbajti fjalim në hapjen e Edicionit të 58-të të manifestimit poetik me famë botërore “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”, që mbahet nga 21 deri më 26 gusht. Në fjalimin e tij, ministri Ismaili të pranishmëve u uroi mirëseardhje ngrohtësisht në atdheun e fjalës së bukur poetike.

“Më lejoni t’ju uroj mirëseardhje në atdheun e fjalës së bukur poetike, aty ku muzat më shumë se gjysmëshekulli falin frymëzim dhe hedhin valle mbi poetët e mbarë botës. Të flasësh për poezinë është një detyrë sa e vështirë, po aq e çuditshme – duhet ta përdorësh fjalën për ta madhëruar dhe himnizuar përsëri fjalën”, tha ministri i Kulturës, Ismaili. Në fjalimin e tij, duke falënderuar për praninë, ai e citoi thënien e famshme të Pasternakut se “Njeriu i keq nuk mund të bëhet poet i madh”, pas së cilës ai falënderoi që sonte është në shoqërinë e njerëzve të mirë dhe poetëve të mëdhenj.

Në hapjen e manifestimit në të cilën morën pjesë përfaqësues të shumtë të jetës shoqërore dhe kulturore, në mesin e të cilëve edhe drejtori i manifestimit, Todorçe Tasevski, si dhe kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, ishte lexuar edhe porosia poetike e poetit të shquar maqedonas, Vllada Urosheviq, të cilit me rastin e përvjetorit të tetëdhjetepestë në kuadër të Programit i ishte kushtuar një term i veçantë për portretin poetik. Në drejtim që të ngrihet komunikimi gjuhësor i festivalit si pjesë e përpjekjeve për të avancuar cilësinë e manifestimit, reputacionin dhe rëndësinë e tij ndërkombëtare, prej këtij viti një pjesë të përmbajtjeve, si dhe leximeve kryesore të festivalit përfshijnë përdorimin e gjuhëve të shumta, përkatësisht përveç gjuhës maqedonase dhe angleze, do të përdoren edhe gjuha shqipe dhe frënge. Në kuadër të programit në edicionin e sivjetëm të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, janë paraparë lexime të shumta poetike në vende të ndryshme, në të cilat do të prezantohen 32 poetë të huaj dhe 30 poetë vendorë të brezave të ndryshëm.

Fituese e sivjetme e “Kurorës së Artë” është poetja rumune, Ana Blandiana, ndërsa fituese e çmimit “Urat e Strugës” është Monika Herceg. Sa i përket fituesit të sivjetëm të çmimit “Vëllezërit Milladinov”, juria e komisionit, në përputhje me Rregulloren ekzistuese nga titujt e pranuar e bëri përzgjedhjen prej pesë librave dhe autorëve që do të prezantohen në Festival dhe prej të cilëve do të shpallet fituesi i çmimit “Vëllezërit Milladinov” në konferencën për shtyp në kuadër të Programit të Festivalit.