Ministri Hysni Ismaili takohet me ambasadorin e Shqipërisë, Fatos Reka

Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, sot realizoi takim me ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka. Në takim, Ismaili dhe Reka shkëmbyen mendime mbi bashkëpunimin e suksesshëm deri më tani në fushën e kulturës ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe mbi nevojën për thellimin e mëtejshëm të tij. U theksua se në pajtim me Programin për bashkëpunimin kulturor midis ministrive të të dyja vendeve, deri më tani janë realizuar aktivitete të shumta në fushën e kulturës: në veprimtarinë muzikore skenike, të dramës, letërsisë dhe veprimtarinë botuese. Ismaili theksoi se tradicionalisht poetët dhe shkrimtarët shqiptarë marrin pjesë në manifestimet letrare në Maqedoni, të tilla si Mbrëmjet Strugane të Poezisë, dhe me rëndësi të veçantë është fakti se vitin e kaluar vendi ynë u prezantua për herë të parë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Tiranë, që ekziston 20 vjet dhe është njëra nga ngjarjet më të rëndësishme në kontekstin e promovimit të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Ai shtoi se Ministria e Kulturës tradicionalisht edhe sivjet e mbështeti realizimin e manifestimit “Vera Kulturore Maqedonase” në Prespën e Vogël, ndërsa planifikohet që Teatri Shqiptar, si pjesë e turneut të tij ballkanik, të jetë mysafir edhe në festivalet në Shqipëri.

Përndryshe, me rëndësi është bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë në planin multilateral, përmes projektit afatgjatë “Rezervati tejkufitar i biosferës Ohër-Prespë” dhe përfshirja në iniciativën e përbashkët të UNESKO-s dhe BE-së – “Drejt menaxhimit të përforcuar me trashëgiminë e përbashkët tejkufitare natyrore dhe kulturore të Rajonit të Ohrit”.

Në mënyrë që të thellojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat e kulturës ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, në rrjedhë është procedura për hapjen e qendrave kulturore dhe informative në të dyja vendet, me seli në Shkup dhe në Tiranë.