Sot në sallën e Komunës së Çairit në Shkup u mbajt Konferenca III ndërkombëtare e arkivistikës me temën boshte: Arkivat dhe të drejtat e njeriut. Konferenca e III ndërkombëtare e arkivistikës u organizua nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup (Maqedoni e Veriut), Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave – Tiranë (Shqipëri) dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave – Prishtinë (Kosovë).
Skender Asani, drejtor i ITSHKSH- Shkup në fjalën e tij u shpreh se me arkivat në Prishtinë dhe Tiranë, institucioni që ai drejton ka një bashkëpunim të ngushtë dhe kjo konferencë do të ndihmojë në begatimin e arkivit të ITSHKSH-së për të hulumtuar historinë, duke u bazuar në dokumente, ndërsa bëri thirrje tek të gjithë individët dhe subjektet që posedojnë dokumente të vjetra me vlerë historike t’i dorëzojnë në ITKSHSH, i cili do të bëjë ruajtjen e tyre sistematike dhe do t’i përdor për nevoja shkencore- hulumtuese.
Konferencën shkencore e përshëndeti Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit, i cili u shpreh se Çairi ka qenë organizator i shumë konferencave shkencore dhe manifestimeve kulturore, ndërsa sot janë bashkuar Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria për të trajtuar tema që kanë të bëjnë me punën e arkivave duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe për të krijuar shoqëri përparimtare në vendet tona.
Konferenca shkencore ndërkombëtare punimet i zhvillon në pesë seanca. Në seancën e parë Ardit Bido u prezantua me temën: Përshkrimi (skedimi) elektronik i dokumenteve arkivore sipas standardeve ndërkombëtare, Pranvera Gashi me temën: Arkivat elektronike – arkiva të kohës moderne, Elsa Saka me temën: Arkivistika dhe sfidat teknologjike, informatizimi i arkivave, Gea Sulo me temën: Qeveria e Vlorës sipas sistemit dixhital dhe Jonela Sela u prezantua me temën Riti i humbur i llazoreve “i gjallë” ndër arkivat e numerizuara.
Në seancën e dytë Adem Ademi prezanton punimin e tij shkencor në temën Shkelja e të drejtave njerëzore në Kosovë 1990-1997, sipas materialeve të Arkivit së Kosovës, Hysen Azemi në temën: Historiku i zhvillimit të arkivave në Kosovë nën regjimet represive, Jusuf Osmani prezanton punimin në temën: Gjetja, komunikimi dhe ruajtja e informatave në institucionet arkivore. Sami Sallahu prezanton në temën: Administrimi dhe ruajtja e informacionit të klasifikuar, Zelije Shala në temën: Shërbimi dhe përgjegjësitë institucionale ndaj dokumenteve, Demokrat Vatajprezanton në temën: Shfrytëzimi i lëndës arkivore.
Në seancën e tretë Enkelejda Sejdini prezanton temën: Mendimi arkivor shqiptar, probleme dhe zgjidhje teorike- praktike, Erena Haska prezanton temën: Terminologjia arkivore në dokumentim: rasti i arkivave shqiptare. Fjoralba Vukatana prezanton temën: Pasurimi i arkivave vendore shtetërore me dokumente nga institucionet shtetërore vendore- sekretaritë/ fondkrijuesi, ndërsa Alketa Luari temën: Dokumentacioni arbëresh nga viti 1950- 1985 në Arkivin historik të MPJ.
Në seancën e katërt Hysen Ibrahimi prezantoi në temën: Arkivi Shqiptar nga Suedia, Vullnet Iseni në temën: Veprimtaria dhe zhvillimi i arkivave në Maqedoni nga viti 1929- 1951, Shpresa Mekaj prezanton temën: Bashkëpunimi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës me arkivat në rajon, Fikrie Berisha prezantoi ne temën: Pasqyrë historike e themelimit dhe zhvillimit të Arkivave në Kosovë. Ndërsa Ruzhdi Panxha prezanton temën: Burime arkivore për themelimin dhe rolin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881, ndërsa Hamit Shala prezanton në temën: Arkivat, mjedisi natyror dhe katastrofat mjedisore.
Në seancën e pestë Izet Abdyli prezanton temën: Koleksionet latine në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Hatixhe Ahmedi prezanton në temën: Vlera artistike e dokumenteve në gjuhën osmane në Arkivin e Kosovës. Driada Dervishi prezanton në temën: Përballja e dy gjeneralëve: Pirro Mani- Serafin Fanko, ndërsa konferencën e përmbyll me punimin e saj Rozina Kostani me temën: Teatri dhe historia, nevoja për dialog mes tyre, mjeti më i mirë i një populli për të kërkuar lirinë dhe identitetin e tij, refleksionin i dramës shqipe në Arkivin e Teatrit Shqiptar të Maqedonisë së Veriut.