Shqiptarët gjithmonë kanë patur një mik që ua ka mbrojtur interesin dhe të drejtat siç është Amerika dhe kjo miqësi duhet festuar dhe kultivuar edhe më tej, thonë nga Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore. Për të shënuar 100 vjetorin e kësaj miqësie, që ka nisur nga Konferenca e Parisit, kur u bë hartimi edhe i kufijve të ri në Evropë pas Luftës së Parë botërore , Instituti ka ripublikuar librin e Kristo Dakos origjinali i të cilit është publikuar në vitin 1919 gjatë Konferencës, për të sensibilizuar shtetet e mëdha që merrnin vendimet për çështjen shqiptare dhe copëtimin e trojeve të saj.
Zekirija Ibrahimi, ITSHKSH
“Libri u bë ndoshta arsyeja më e madhe që në konferencën e PArisit u ndryshua qëndrimi për shqiptarët. Pas aq shumë vitesh që shqiptarët ndoshta edhe e kanë harruar se çfarë ka qenë arsyeja, ose një ndër arsyet, ne sot e sjellim atë libër të botuar sikur që ka qenë para 100 viteve. Disa data historike shqiptarët duhej ti kujtojnë, që të freskojnë kujtesën e tyre kolektive për miqësinë shqiptaro-amerikane. Historia fillon më 1919 me Konferencën e Parisit dhe rolin e madh që aty kishte presidenti Villson. Një rol të madh për këtë miqësi kishin edhe misionarët protestant amerikan”
Këshilltari i kryeministrit të Kosovës Jahja Lluka, kujton kontributin e shtetit Amerikan për shpëtimin e popullit të Kosovës nga gjenocidi serb dhe për krijimin e shtetit të ri të Kosovës. Ai thotë se është koha që shqiptarët të vetëdijësohen se doemos duhet të krijojnë sa më shumë miq, duke ndjekur shembullin e miqësisë shqiptaro-amerikane.
Jahja Lluka, këshilltar i Kryeministrit të Kosovës
“Ne më duket se jemi zgjuar nga gjumi më në fund se duhet të krijojmë miq. Pa SHBA-të populli shqiptar nuk do të ekzistonte. Posaqërisht miqësia e fundit dhe intervenimi i NATO-së në Kosovë që ishte shpëtim për popullin dhe për krijimin e shtetit. Edhe vizita e fundit e funksionarëve të lartë Klinton, Albright, Klark dhe shumë të tjerë që ishin në Prishtinë që thanë se e duan popullin shqiptar dhe janë të gëzuar që e kanë ndihmuar një popull që ka qenë në shënjesër të sllavëve për asgjësim. Edhe sot ka tendenca që të grabiten disa pjesë të Kosovës. Gjatë shekujve trojet shqiptare po tkurren prandaj duhet tu them ëndrrave dhe projekteve sllave mjaft”
Drejtori i Institutit për trashëgimi shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve Skender Asani thotë se amerikanët i kanë ndihmuar shqiptarët pavarësisht se në cilin shtet gjenden. Përmendi edhe kontributin në parandalimin e liftës civile në Maqedoni.
Skender Asani, ITSHKSH
“Jo vetëm gjatë Marrëveshjes së Ohrit, por në çdo moment, SHBA-të kanë qenë një garanë që shqiptarët të mos zhduken nga këto treva. Gjithmonë Amerika na ka patur nën përkujdesje. Jo rastësisht në konferencën e Versajës, delegacioni zyrtar shqiptar i Qeverisë së përkohshme në krye me Turhan Pashë Përmetin propozon dy kërkesa. Që Shqipëria të njihet me katër vilajetet e saj siç ishte gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, ose që trevat veri-lindore ku hyn edhe territori i Maqedonisë, të hyjnë nën protektoratin e SHBA-ve. Ajo kërkesë e delegacionit shqiptar po realizohet pas 100 viteve”
Për të shënuar 100 vjetorin e miqësisë shqiptaro-amerikane, përveç librit të ribotuar të Kristo Dakos, janë zhvilluar dhe do të zhvillohen edhe një sërë aktivitetesh të tjera, në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri. Në tre shtetet do të promovohet edhe nga një pullë postare për 100 vjetorin e kësaj miqësie. Pullat do të dorëzohen tek muzeu i ish presidentit në Amerikë.
/SHENJA/