Schoolture TV

Dritare kulturore për të rinjtë

PËRKRAHJE DHE INTEGRIM NË SHOQËRI PËR AUTISTËT

Është hapur sot në Tetovë, qendra ‘Fluturo për jetën’ në të cilën do të trajtohen fëmijët me autizëm. Kjo qendër u hap me përkrahje të komunës së Tetovës dhe me përkrahje të Presidentes së Fondacionit ‘Fëmijët Shqiptarë’, Liri Berisha.

‘Fluturo për jetën’ është qendra për fëmijë autistë që u përurua edhe në qytetin e Tetovës, pas punës dhe sukseseve disa vjeçare nëpër shumë qytete të Shqipërisë.  Kjo qendër u hap me përkrahje të komunës së Tetovës dhe me përkrahje të Presidentes së Fondacionit ‘Fëmijët Shqiptarë’, Liri Berisha. Fëmijët e kësaj qendre do të kenë mundësi që të trajtohen në gjuhën amtare, deklaron Fatjona Geci nga ‘Fluturo për jetën’.

Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi deklaroi se edhe në vazhdim do të mbështesë aktivitete të tilla për fëmijët të cilët kanë nevojë me qëllim që të arrihet rezultati i duhur për ta.

Kjo qendër do të zbusë dhimbjen e shumë familjeve që jetojnë me fenomenin e autizmit, që ekziston dhe për të cilin flitet pak, theksoi Liri Berisha.

Statistikat botërore tregojnë se sëmundja e autizmit është tepër shqetësuese dhe rastet e saj janë në rritje. Shenjat e kësaj sëmundje shfaqen tek fëmijet pas moshës 1-2 vjeç. Çrregullimet e gjuhës dhe komunikimit janë ndër simptomat më karakteristike te fëmijët autikë, që evidentohen kur fëmija nis të flasë, ç’ka përbën një nga kriteret diagnostikuese.

E folura herë mungon, herë është e vonuar ose dhe atipike. Poashtu këto fëmijë nuk janë në gjendje të krijojnë asnjë lidhje emocionale me njerëzit e tjerë dhe nuk manifestojnë përgjigje ndaj aspekteve të ndryshme të ambientit. Ndërkohë që specialistët e shëndetësisë apelojnë për sensibilizimin e opinionit publik për përkrahje ndaj fëmijëve autistë dhe integrimin e tyre në shoqëri.  /KlanMaqedoni