PA FRYMË/ Biseda me Leman-in

Edhe pse e fillova ditën mirë, në librari, midis neve mbretëruan muhabete të rënda. Kryesisht ato për ikjen, depresionin kolektiv dhe jetën si obligim dhe fatkeqësi. Secili po flisnim nga perspektiva individuale, por jo që kishim ndonjë arsye të fortë, t’i mbronim idetë tona me aq ngulm. Befas në librari u fut një vajzë e vogël. Ngaqë mbante një kuti të vogël në dorë, e paragjykuam si lypsare dhe menjëherë filluam të kërkonim para të ima në xhepat tonë. Nganjëherë jo se duam të japim por duam të shpëtojmë paratë e vogla që na shtrembërojmë xhepat.

– Më falni, unë shumë i dua librat, a më lejoni t’i vëzhgoj këto rafte një çik? Shumë të bukura duken.

U shtangëm. Mua më mbeti pështyma në fyt. Por më kaploi një gëzim dhe u shpërfaq në qenien time si ekuipazhi i një nëndetëseje kur del mbi atë, pasi ajo të kish prekur sipërfaqen e detit.

Vrapo të marr një libër me fotografi dhe me lojra logjike, ngaqë ajo nuk dinte gjuhën shqipe. Leman. Ajo quhen Leman. Ishte kaq e bukur. I ofruam të ulet me ne.

– Leman, po ti a shkon në shkollë? – e pyeta paksa me hezitim, ngaqë vajza shihej që s’ishte.

– Jo, nuk jam.

– Sa vjeç je?

– 11.

Më kaploi një sëkëlldi e u mërzita paksa. Por kjo s’ishte asgjë nga ajo çfarë do vie pas. Ajo me sy poshtë, e turpëruar deri në palcë, vazhdonte të priste pyetjet tona. Thuaja ishte në dhomë rrëfimi.

– Po pse nuk shkon në shkollë?

– Mami më thotë se unë kam kancer dhe këtë bënin e madh që kam këtu më duhet të shkoj e ta kuroj në Turqi. Dhe pastaj do shkoj në shkollë, besa do mësoj edhe turqisht.

Neve na u ngrysën fytyrat, sikur një pe i hollë këputi këmbët dhe zemrën time mes për mesi.

– Po si jo Leman, t’i do shërohesh e do shkollohesh dhe do vijnë ditë më të mira se këto – iu përgjigj Gresa nga ana tjetër.

Nuk e di si këputet shpirti, po mua m’u këput.

– Më falni sa kushtojnë ato librat e vegjël për dhuratë? – pyeti me kaq ëmbëlsi.

– Leman, po ato janë në shqip dhe ti nuk i kupton – i thashë unë me habi.

– Po e di, po kam një shoqe shqiptare dhe dua t’ia dhuroj asaj – u shtanga prapë.

Në atë moment, sikur të më kërkonte gjithë librarinë do ia jepja. Ne me shumë ëmbëlsi i kërkuam të bëjmë foto dhe ajo pranoi me gjithë ëmbëlsi.

Në fund, pasi që ndemë, disa minuta, ajo kërkoi falje për pengesën që na “bëri” dhe me shumë nder e respekt, në heshtje me kokë të kthyer nga vitrinat iku tutje.

Ka një dorë metafizike që ngritë peshat dhe i vendos mbi supet tona. Pe e njëjta dorë kap këto pesha dhe lehtëson qenien tonë dhe ajo pluskon në hapësire fluturimthi. Lemani sot ishte një shenjë e dërguar nga kjo dorë. Me dëlirësi na përkujtoi mirësitë që i posedojmë dhe me po të njëjtën ëmbëlsi na kujtoi për përgjegjësitë që i kemi ndaj shoqërisë sonë.

/Marrë nga muri i Latif Mustafës, Libraria Nobel/