Jeta dhe poezia e kryqëzuar e Muhamet Ademit

Nga Prof. Nasho Jorgaqi

I.

Në historinë e çdo letërsie nuk janë të zakonshme rastet, kur krijohen vepra, të cilat autorët nuk i bëjnë publike. Në shoqëritë civile këto mund të ndodhin për motive vetjake, nga preferenca subjektive të natyrës artistike apo psikologjike. Krejt ndryshe ndodh në shoqëritë totalitare, siç ngjau edhe në Shqipëri, ku disa autorë të talentuar, për shkak të rrethanave politike, të mungesës së fjalës e të mendimit të lirë, do të krijonin, si të thuash në “ilegalitet” pa mundur që të komunikonin me lexuesin.

Nga historia e letërsisë shqipe e gjysmës së dytë të shekullit XX kemi një çetë të tërë poetësh dhe prozatorësh si K. Trebeshina, P. Arbnori, M. Hanxhari, Z. Zorba, A. Delvina etj., që do të lëvronin letërsi, por krijimet e tyre do t’i kyçnin në sirtar. Ishte kjo një letërsi me frymë dhe përmbajtje disidente, kundër ideologjisë dhe rendit politik të kohës, e cila, pavarësisht se nuk do të shihte dritën e botimit, përbënte një realitet të pamohueshëm me vlera, në radhë të parë, artistike.

Në mesin e këtyre autorëve përfshihet edhe poeti shkodran Muhamet Ademi, një emër krejt i panjohur në letrat tona dhe, ç’është më interesante, i palexuar edhe nga rrethi i ngushtë i miqve. Do të ishin këto këngë të kënduara larg të tjerëve, në vetmi e në fshehtësi për afro gjysmë shekulli. Edhe unë, që isha një nga miqtë e tij të besuar, nuk arrita asnjëherë të jem lexues i poezisë që ai shkruante.

Po kush ishte Muhamet Ademi dhe ç’përfaqëson emri i tij në fushën e letrave që, për së gjalli, mbeti anonim?

I lindur në Shkodër në vitin 1918, ai ishte bir i një familjeje të nderuar të kryeqendrës së Shqipërisë së Veriut, pinjoll i derës Ademi, pronarë të njohur të fabrikës së duhanit “Tarabosh” dhe asaj të çimentos. Do të kryente gjimnazin e shtetit në vendlindje dhe do të rritej e do të formohej në mjedisin e rinisë së përparuar shkodrane, shok klase i Qemal Stafës dhe Arshi Pipës, në shoqëri të ngushtë me kompozitorin Ramadan Sokoli dhe piktorin Vladimir Jani. Qysh herët do t’i zgjohej etja për dije dhe pasioni për librin, do të ndiente afri shpirtërore me fjalën, ngjyrat, tingujt. Bota e artit do të bëhej bota e tij. Ndërkaq, do të ndiqte studimet në Itali në Universitetin e Torinos për shkenca të natyrës në degën fizikë-matematikë, të cilat do t’i ndërpriste në vitin e katërt akademik. Kjo do të ndodhte në kohën e pushtimit fashist, kur dhe ai si shumë nga shokët e tij patriotë, do të kthehej në atdhe për t’i shërbyer në një mënyrë a në një tjetër kauzës së lirisë.

Muhameti do ta gjente veten mes shokëve të brezit të vet intelektual, por do të ndihej i afërt dhe me punëtorë revolucionarë të fabrikës së prindërve, duke i ndihmuar në aksionet e tyre politike kundër pushtuesve. Në këtë kohë të trazuar, ai do të jepej pas leximeve dhe studimeve të letërsisë artistike, filozofike dhe estetike. Gjithë pasuria e tij do të ishte biblioteka, të cilën e pati krijuar me aq përkushtim dhe e pat përzgjedhur me kritere elitare. Në rrethin e ngushtë të Muhametit do të shkëmbeheshin libra, albume arti, pllaka muzikore, do të diskutoheshin e do të ndaheshin mendime për letërsinë, artin, filozofinë dhe, ç’është më e rëndësishme, do t’i përkushtoheshin krijimtarisë artistike.

Shkodra ishte vatër e një kulture të lashtë, djep i një letërsie të madhe, fidanishte e arteve shqiptare. Në këtë trevë do të hidhnin shtatin e tyre intelektual Muhameti me shokë, duke pasur si shembëlltyrë figura madhore si Gj. Fishta, N. Mjeda, E. Koliqi, Migjeni, por dhe poetë të

talentuar si Gaspër Pali, me të cilët kishin fatin të qenë bashkëkohës. Në vitet ’40 të shekullit të kaluar, ndonëse vendi ndodhej nën çizmen e huaj, Shkodra zhvillonte jetën e vet letrare e kulturore. Pjesë e kësaj jete artistike do të bëhej edhe rrethi i ngushtë shoqëror i Muhametit. Ata qenë të rinj të talentuar e të kulturuar me ide dhe mendime serioze, gjithë energji dhe ambicie pozitive, si F. Ndocaj, K. Ashta, R Gjeçi, Q. Draçini etj. Por mes tyre do të shquheshin vëllezërit Pipa: Arshiu, i diplomuar për filozofi, nxënës i B. Kroçes dhe Myzaferi, i laureuar për drejtësi. Do të ishin po këta të rinj që do të ideonin dhe do të merrnin guximin të botonin në të njëjtën kohë dy organe serioze: revistën “Kritika”, e para në llojin e vet në historinë e letërsisë shqipe dhe revistën letrare “Fryma” Rreth këtyre dy organeve do të radhiteshin disa nga letrarët e rinj shkodranë, ndërmjet të cilëve ishte edhe Muhamet Ademi. Në faqet e revistës “Fryma” ai do të botonte vjershat e para, me pseudonimin Hespeirius, që e kthyer në shqip, do të thotë “Ylli i mëngjesit”. Pra, do të qe kjo tufe vjershash, të botuara në disa numra të revistës “Fryma” që do të prezantonte talentin e tij në agimin letrar.

Ndërkohë po në Shkodër do të botohej ilegalisht revista tjetër letrare “Liria”, ku do të bashkëpunonin letrarë antifashistë, që militonin në radhët e Frontit Nacionalçlirimtar si K. Jakova, LL. Siliqi, V. Bala, Xh. Broja etj. Muhameti ishte i njohur për idetë dhe qëndrimin antifashist, për patriotizmin e tij, aq sa dhe do të arrestohej e përndiqej, madje jo vetëm një herë. Por, me gjithë njohjen dhe shoqërinë që mbante me një pjesë të tyre, ai shpirtërisht dhe politikisht ishte me grupin e revistës “Fryma”. Gjithsesi, kjo nuk e pengoi ta mirëpriste çlirimin e atdheut nga forcat partizane, pa menduar se çdo të ndodhte më vonë me familjen e tij borgjeze dhe atë vetë. Vitin e parë të Çlirimit ai madje do të punonte në seksionin e Agjitpropit e Propagandës pranë Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës si fotoreporter dhe i ngarkuar për të mbledhur materiale dokumentare rreth terrorit dhe persekutimit fashist ndaj popullit dhe luftëtarëve të lirisë.

Pasi kreu shërbimin ushtarak, ku aktivizohet dhe si lojtar në skuadrën e futbollit “Partizani” Muhameti punon si mësues në shkollën ushtarake “Skënderbej”. Më vonë transferohet me të njëjtën detyrë në Durrës dhe në Shkodër deri në vitin 1951, kur kthehet rishtazi në Tiranë, por kësaj here si mësues fshati në Ndroq e pastaj, përfundimisht, në Kërrabë deri në vitet ’90.

Këto lëvizje të shpeshta të Muhametit nuk do të qenë të rastësishme. Prapa tyre qëndronte trajtimi politik që iu bë familjes, shpronësimi dhe masa të tjera diskriminuese, që të gjitha këto si pasojë e ashpërsimit të luftës së klasave. Prej kësaj kohe do të niste kalvari i heshtur i Muhametit, tërheqja nga jeta aktive, mbyllja në mes të maleve të Kërrabës, braktisja e detyruar e ëndrrave dhe e projekteve letrare. Kështu, për më shumë se 40 vjet ai do të punonte si mësues i thjeshtë fshati, duke ndërruar bile edhe mbiemrin nga Ademi në Rexhepi, i detyruar nga kushtet socialpolitike të kohës. Kuptimin e jetës ai do ta gjente te familja dhe te mësimi që i jepte brezit të ri, por edhe minatorëve të Kërrabës në shkollën e natës. Kjo do të ishte jeta e dukshme, sepse, në fakt, ai do të përpiqej të mbahej fort pas vetes, duke bërë jetën e tij intelektuale brenda shtratit të Prokustit.

Në shoqëri të përhershme me librat, duke baritur e shtegtuar i lirë nëpër pyjet e ograjat përqark, ka vizatuar e pikturuar, duke dëgjuar muzikë, duke shkëmbyer ndonjë mendim me kolegët e intelektualët e rrallë të minierës e mbi të gjitha, duke kënduar në fshehtësi e në heshtje këngët, që i lindnin në shpirt, Muhameti do të përcillte stinët e viteve dhe do të përballonte stinët e jetës. Unë që do të kisha fatin të fitoja miqësinë e tij dhe të provoja kënaqësinë, por edhe trishtimin kur shkoja dhe e vizitoja në Kërrabë në kohë të ndryshme, do të bëhesha dëshmitar i gjithë asaj që ndodhte me të.

E vërteta është se Muhameti u takonte atyre njerëzve, që nuk e jepnin veten. Gjithnjë mikpritës e dinjitoz, i mençur e i kulturuar, i ndjeshëm dhe i këndshëm në biseda, unë do të kaloja orë e ditë të paharruara, duke shkëmbyer mendime apo dhe duke diskutuar për letërsinë dhe artet, për shkrimtarë dhe vepra të veçanta, duke dëgjuar prej tij opinione dhe gjykime interesante e të çmuara. Në këto fusha ai ishte i hapur, fliste lirisht dhe me emocione që i gjallëronin gjithë qenien. Kurse për çështje politike, ai tregohej i përmbajtur, përjashto rastet e ndonjë ngjarjeje të madhe të ditës ose të ndonjë padrejtësie flagrante, që mund të kishte ndodhur. Por dhe atëherë nuk hynte në debat, veç unë ia ndieja mllefin, që i fshihej brenda.

Ai, sidoqoftë, nuk dinte të ankohej për pozitën e tij. S’mbaj mend një herë të më ketë kërkuar për të ndërhyrë apo të trokiste e të qahej nëpër zyra. Kish të ngjarë, me sa dukej, që ai e kish mbledhur mendjen, duke arsyetuar se në kushtet e një regjimi që ishte krejt i huaj për të, ky paskej qenë fati i tij, prandaj dhe i nënshtrohej me ndërgjegje një lloj destini. Por një qëndrim i tillë vinte edhe nga karakteri burrëror, që nuk e njihte lutjen, servilizmin apo konformizmin. Kish një vijë të palëkundur karakteri dhe një staturë të tillë, që, sado miq që ishim, nuk do të më zbulohej deri në fund. Unë do të njihja vetëm majën e ajsbergut të botës së tij. Bile, herë- herë, do të më dukej i rrethuar nga një farë misteri, një fshehtësi e padepërtueshme, të cilën s’kish si të mos ia respektoja. Kam përshtypjen se, sado që ai ndihej i persekutuar dhe i diskriminuar, në marrëdhëniet tona nuk ranë kurrë hije dyshimi dhe kjo do të ishte një vlerë e miqësisë sonë. Aq e vërtetë është kjo sa, kur shumë vonë, pas ikjes së tij nga jeta (2000) u njoha me dorëshkrimet e lëna, gjeta dëshmi të shkruara, siç është një poemë që ma kushtonte mua si dhe opinione dashamirëse hedhur në ditar.

Muhameti, ndonëse për afro gjysmë shekulli bëri jetën e një mësuesi fshati, mbeti deri në fund njeri i kulturës. Edhe pse do t’i paguante haraç kohës, e cila u soll aq padrejtësisht me të, prapë do ta ruante dhe do ta kultivonte këtë vetje të dytë. E kam parasysh gjithnjë me libër në dorë apo në xhep. E kam parasysh bibliotekën e tij me libra të vjetër e të rinj. I kam parasysh blloqet e fletoret e shënimeve, të mbushura me citime e mendime. Ai lexonte e shkruante në dy-tri gjuhë, lexonte me laps në dorë dhe kish një kujtesë të admirueshme. Vijonte të lexonte letërsi artistike, por edhe letërsi filozofike, vepra dokumentare, historike e sociologjike. Ishte një lexues jo vetëm i përkushtuar, por dhe kritik. Një mendje që dinte ç’merrte e dinte ç’linte. Në biseda ai arrinte të integronte mendime e ide nga Seneka e Konfuci e deri te Bergsoni e Kroçe.

Por Muhameti e gjente veten më shumë në fushën e krijimit sesa të mendimit, veçse dimensionin e krijuesit ai nuk do ta shpërfaqte asnjëherë hapur. Do të më kujtonte ndonjëherë vjershat e rinisë, por se dëgjova kurrë të më tregonte se vazhdonte të shkruante dhe në moshën e pjekurisë e të pleqërisë. Krijimtaria origjinale ishte dashuria e tij e fshehtë, një tabu që mbeti e tillë deri në fillim të viteve ’90. Ndërkaq, ai do të më fliste e do të më tregonte vetëm për përkthimet që bënte. Kështu, do të përkthente në shqip një vëllim të tërë me poezi të zgjedhura të Pol Eluarit. Ishte i dashuruar pas poezisë së Ungaretit dhe përktheu disa nga vjershat e tij, që i dinte përmendësh. Poezinë klasike kineze dhe japoneze unë do ta njihja, së pari, përmes shqipërimeve të Muhametit. E tërhiqte fort kultura e Lindjes së Largët. Më kujtohet që përktheu pjesë nga një libër me temë të çuditshme të një autori kinez të shekujve të Mesjetës, ku flitej për endjet dhe kënaqësitë, që i jep njeriut mjedisi i shtëpisë, nga objektet e deri te kafshët shtëpiake e lulet.

Shqipërimet e Muhametit nuk ishin sprova amatore, por punë serioze e me nivel, ku ndihej shija e hollë artistike e serioze, sensi gjuhësor e dora e sprovuar. Disa herë i kisha propozuar për t’ia botuar në shtypin letrar, por ai shmangej e më thoshte:

E lam këtë muhabet. Te qes telashe ty dhe vedit.

Kjo kish diçka të vërtetë, por s’ishte e pamundur. E pra, ky qe Muhameti fisnik!

Shpirti artistik i Muhametit shfaqej edhe në trajta të tjera. Qysh herët dhe, deri diku, më vonë, ai ishte i apasionuar pas fotografisë artistike. Në arkivin e tij ruante me kujdes qindra negativa dhe fotografi që kishte bërë në Shkodër e gjetkë, me pamje shtëpish karakteristike, rrugë e sheshe, portrete njerëzish, si etyde psikologjike, pamje festash familjare. Ai kish një sy vrojtues dhe një imagjinatë krijuese në perceptimin e hapësirave dhe të botës së njeriut.

Por nga artet pamore, më shumë se fotografia artistike, Muhametin e tërhiqte piktura. Në kohën e lirë realizonte akuarele, punime në vaj, bënte skica e vizatime interesante. Ato m’i tregonte, kur i shkoja në shtëpi. Ndodhte që më dhuronte ndonjë prej tyre. Në qoftë se vizatimet qenë kryesisht portrete ose aspekte nga jeta e minatorëve të Kërrabës, pikturat ishin peizazhe apo pamje nga fshati, që dallonin për ngjyrat e ndezura. I pëlqenin veçanërisht impresionistët, por fliste me entuziazëm edhe për Modilianin, Pikason e Matisin. Bile prej tyre kish albume të botuara në Itali në vitet ’40, që i ruante me kujdes të veçantë.

Në jetën e vetmuar e të izoluar të Kërrabës, larg mjediseve intelektuale, shokët e pandarë të Muhametit do të mbeteshin gjithnjë librat. Në bibliotekën e tij me autorë e libra të zgjedhura binin në sy kolana botimesh me famë botërore të shtëpive botuese Hashet dhe Mondadori. Kujdesi i tij për librat ishte aq i madh sa, për t’i ruajtur e mirëmbajtur, bënte dhe punën e libralidhësit duke i veshur me kapakë të trashë. Në raftet e bibliotekës gjeje të lidhura koleksione revistash kulturore, sidomos ato shqipe, si “Përpjekja shqiptare”, “Leka”, “Hylli i Dritës”, “Fryma” etj. apo kopje gazetash të vjetra. Kisha përshtypjen se kjo ishte bota virtuale e Muhametit, pa të cilën nuk jetonte dot, po të mbaje parasysh se, ngado që shkonte, librin e merrte me vete. I kam para syve si tani xhepat e tij të fryrë ose të deformuar Ai lexonte kudo, jo vetëm në shtëpi, por edhe në intervalet e orëve të mësimit në shkollë, në autobus e deri në pyll, ku shkonte të priste dru për dimër.

Ishte krejt e natyrshme që në takimet tona biseda e tij kryesore dhe më e preferuar qe ajo për librat e për leximet. Ai nuk fliste vetëm për letërsinë e huaj, për klasikët e saj dhe për ata bashkëkohorë, të cilët i njihte mirë, por dhe për letërsinë shqipe, deri dhe atë të renë. Për këtë të fundit nuk kishte paragjykime, çmonte vlerat e vërteta, i peshonte veprat artistikisht, tregohej i ndjeshëm ndaj fjalës dhe figuracionit artistik.

Dukej që e ndiente së brendshmi krijimtarinë dhe më habiste me njohjen që kishte për laboratorin e punës së shkrimtarit. Dhe ne këto biseda më linte përshtypjen sikur kisha të bëja me një koleg të fushës së letrave, sepse ishte aq konkret në gjykime sa tani e kuptoj që fliste nga përvoja e tij. Atëherë fillova të dyshoj se kjo përvojë s’ishte vetëm ajo e viteve të rinisë, por dhe e kohës që jetonte. Ndoshta ai shkruante në fshehtësi dhe nuk desh të më hapej. Dhe unë nuk e bëja veten, e respektoja të drejtën e fshehtësisë së tij. Por, me kohë, do të bindesha se ai shkruante, bënte jetën e një krijuesi të vërtetë. Dhe nuk do të gabohesha, sepse një ditë enigma do të zgjidhej përfundimisht.

Kjo ndodhi në fillim të viteve ’90, kur u rrëzuan muret dhe u vra frika. E kujtoj si tani pamjen e Muhametit ato ditë. Më në fund kishte ardhur liria e tij dhe ai i gëzohej përmbysjes që po ndodhte. Por gëzimi i Muhametit më dukej i lodhur e i hutuar. Ajo që ndodhi kishte ardhur vonë, tepër vonë, kur ai po i afrohej të tetëdhjetave, në moshën kur kishte të kaluar, por skish më të ardhme.

Në një nga takimet e atyre ditëve, më kujtohet mirë një bisedë tronditëse, e cila më tingëlloi si epilog i kalvarit të tij. Në situatën e krijuar ai nuk bënte komente si shumë të tjerë. Më tepër heshtte dhe heshtja e tij fliste, por nuk e harroj rrëfimin që më bëri për një episod që s’di ku e kish dëgjuar apo lexuar. Më tregoi se ç’kish ndodhur me një çift të moshuar çekë me prejardhje aristokrate, kur kishte ardhur demokracia në vendin e tyre. U qenë kthyer pronat dhe mes tyre edhe një kështjellë. Kishin shkuar te kjo e fundit ta vizitonin dhe, kur kishin dalë, kurreshtjes së gazetarëve u qenë përgjigjur me fjalët:

E ç’na duhet tani kështjella. Jeta që kishim, na shkoi pa e gëzuar. Në këtë moshë na mjafton shtëpia që kemi për të kaluar kohën që na ka mbetur.

Këtë histori Muhameti ma tregoi në dukje me një zë të shtruar, por, në fakt, nga toni ndieja trishtimin, pezmin e dramën e jetës së tij. Për pak më shkrepi t’i kujtoja Muhametit fabrikat, shtëpitë, pronat, tokat e dyqanet që trashëgonte dhe ligjet e reja që premtonin, por tek sodisja fytyrën e tij të plakur dhe shtatin e rrëzuar, e mbajta veten. Për një njeri dhe artist si Muhameti, ato s’kishin asnjë vlerë. Perdja e kohës së tij po binte dalëngadalë dhe këtë ai e ndiente, ndaj fjalët ishin të tepërta.

Ishte kjo një bisedë që shënonte vetëm fillimin e hapjes totale të Muhametit. Unë e ndieja se ai sapo m’i zbulonte disa nga të fshehtat e së kaluarës së tij të panjohur. Dhe kjo u duk në ditët që erdhën, kur tek rrinim një pasdreke në shtëpinë time vetëm për vetëm, në bisedë e sipër më tha gjithë siklet në të folmen e tij karakteristike:

Dëgjomë ç’ka due me të thanë. Ty që të kam dasht e të due si vëlla, do të më falësh që ta kam mbajt një sekret. Një të fshehtë që nuk i shkonte vllaznisë sonë. Por, me të thanë të drejtën, s’kam dasht me të randue e me të rrezikue në ato kohë të vështira që kaloja unë e familja ime midis maleve të Kërrabës. A më kupton? Besoj se do të më kuptosh drejt, siç më ke mirëkuptue tanë jetën.

E, pra, dije, në qoftë se nuk e din, unë në vitet e Kërrabës nuk i jam nda letërsisë, por kam këndue vetmevedi e i kam zhgarravit nëpër do letra e fletore, njashtu si ma diktonte mendja e zemra, pa dijt se çbaj e pa mendue kurrë njiherë për fatin e tyne. Ishte kjo nji mënyrë për të mbijetue intelektualisht apo artistikisht, thuej si të duesh, por më asht dasht të shprehesha, se ndryshe kisha me pëlcit. Më beso, e ndieja fort fjalën dhe kjo më bante të kapesha pas saj e t’i besoja gjithçka, pa mendue se “fjala ban kala,fjala ban hata”

Kësisoj shkruejta nëpër vite varg pas vargu, një mal të tanë, që sdi të them se a janë marrzina a janë urtina. Di që kam nji dollap të tanë me dorëshkrime, që prite zot, po të kishin ardhë e tmë kishin kontrollue shtëpinë, do të kisha marrë në qafe jo aq vedin, po Lizën e fëmijët. Ky asht i tanë sekreti im, që të kam mbajt. Nuk di a më kupton?

Tunda kokën e nuk fola ashtu siç isha, sa i befasuar, aq edhe i emocionuar. Natyrisht, që e kuptoja, jo vetëm e kuptoja, por dhe e përjetoja dramën cfilitëse të mikut tim. U bë një pauzë dhe, padashur, vështruam njëri-tjetrin në sy, ndërsa ai tha:

Tash, pa të randue, kur të mundesh, të mbetet ty me i lexue e me më gjykue.

As që bëhet fjalë, – i thashë i menduar, pa ia ndarë sytë tek e shihja nën dritën e asaj që më tha/ashtu të mpakur e të tkurrur, të thinjur e fytyrë rrudhun. Por ndërkaq ndieja karakterin e tij burrëror, natyrën e paepur, mençurinë dhe urtësinë e pabujë, dinjitetin e njeriut, që di të mbahet në këmbë falë vetvetes.

Pas disa kohësh Muhameti më ftoi një ditë në shtëpi e më tregoi arkivin e dorëshkrimeve të tij. I kishte sjellë nga Kërraba në Tiranë në shtëpinë e të birit, të mbledhura e të sistemuara disi në disa kuti kartoni. Ç’të shikoje? Fletore e blloqe, letra të zverdhura, të shkruara me bojë apo me laps.

As vetë se di tamam ç’ka kam këtu, – më tha me sytë e përqendruar mbi to. – Di të them se në to asht jeta ime e kalueme, me plot telashe shpirtnore, me dhimbje, po dhe me mllefe, që nuk di a do të kesh kohë e durim me i lexue një pjesë sosh. Me të thanë të drejtën, kurrë s’më kish shkue mendja se do të vinte kjo ditë e këto do të shihnin dritën e diellit. Sepse, guxoj me të thanë, në qoftë se vlejnë me tamam, mund të bahet diçka me to…

Por nuk guxoi të përmendte fjalën botim. Atëherë unë e kapa momentin dhe i dhashë zemër, i bindur se në tërë ato dorëshkrime, do të kish krijime me vlerë që meritonin të botoheshin në një vëllim. Ai u çel në fytyrë dhe u kthye i tëri nga unë e më tha:

Sepse për fatin e vargjeve të mia më kujtoheshin gjithnjë vargjet e Migjenit, kur thotë: “Unë, djepi juej, ndoshta, vorri juej”. E, pra, duket se qenkam me nafakë, megjithëse s’duhet me u gëzue para kohe.

Por, për fat të mirë, nuk doli ashtu si mendonte Muhameti. Sigurisht mosbesimi i tij ishte i kuptueshëm. Aq më tepër kur, deri atë kohë, nuk i kishte lexuar njeri. Ndoshta unë do të isha njeriu i parë. E, megjithatë, edhe pa i lexuar dorëshkrimet e tij, kisha bindjen, duke e njohur shijen, kulturën, disa përkthime që më kish dhënë se; në mos të gjitha, një pjesë e tyre ishin me vlerë. Nga gjithë sa kishte shkruar shumica ishin poezi, kurse të tjerat qenë ditarë, meditime, përkthime, copëza nga leximet, aforizma etj.

Pas njohjes fizike me dorëshkrimet, Muhameti do të zgjidhte e do të më jepte një tufë të madhe vjershash, nga e cila do të dilte lënda e vëllimit të ardhshëm. Ndërkohë, gjatë përgatitjes së librit, Muhameti do të botonte disa nga vjershat në gazetën “Rilindja” të Kosovës, që dilte në Tiranë, të cilat një herë u shoqëruan dhe me një shënim vlerësues nga poeti kosovar Ramadan Musliu.

Ka qenë një gëzim jo i zakontë për mua, kur lexova dorëshkrimin e vjershave që më dha Muhameti. Jo vetëm nuk pata as zhgënjimin më të vogël, por, përkundrazi, përshtypjet që më zgjoi poezia e tij ishte aq e befasishme, sa i tejkaloi tërë hamendjet e parashikimet e mia. Muhameti m’u shfaq si një poet i vërtetë, me një ndjeshmëri të lartë artistike, i vetvetishëm, zotërues i fjalës dhe me një sinqeritet prekës. Ato vjersha ngërthenin gjithë dramën e tij të dhimbshme dhe krenare.

Kështu lindi vëllimi i Muhametit me vjersha dhe shqipërime, i përzgjedhur nga mijëra vargje të dorëshkrimeve. Unë ia prezantova lexuesve me një parathënie të shkurtër, siç u shoqërua dhe me një pasthënie dashamirëse nga gazetari Zenel Anxhaku. Mbeti puna te titulli dhe, pas disa dilemash, ai vendosi ta quante “Thinjat u zbardhën”. Kur ma tha në fillim, nuk e kuptova, bile m‘u duk ca absurd, por kur ai ma shpjegoi, u binda.

Drama ime dhe jo vetëm e imja, – tha, – asht thinja e thinjave që i kalon kufijt e normales.

Sigurisht nuk e kundërshtova. Një realiteti absurd i shkonte dhe një titull me tingëllim absurd. Dhe me këtë emërtim u botua libri që doli në qarkullim. Ishte një ngjarje për autorin, po dhe për miqtë e të afërmit e tij, të cilën Muhameti do ta shprehte me fjalët:

Dasmë në pleqni!

“Thinjat u zbardhën” (1995) kaloi thuajse në heshtje, vetëm me një shënim në një nga gazetat e ditës. Por u lexua me emocion dhe, pa dyshim, e përligji veten dhe e nderoi autorin. Nuk mund të mos kujtoj me këtë rast, që libri doli pak a shumë në kohën kur nga SHBA erdhi miku i tij i vjetër, Arshi Pipa. Muhameti shkoi e priti në aeroport dhe e shoqëroi deri në Shkodër, duke marrë pjesë në të gjitha takimet që u organizuan për të. Ai do t’i dhuronte ato ditë dhe vëllimin poetik, jo vetëm në shenjë kujtimi për miqësinë e rinisë, por edhe me mirënjohje se kish qenë Arshiu ai që ia kish vlerësuar qysh herët vjershat, duke i botuar në revistën e tij. Miku do ta lexonte librin me emocion dhe do ta përgëzonte.

Për njëmend – i kishte thënë, – me ato çka ke heq dhe vargjet janë thinjun.

Ky kishte qenë fati i mbrapshtë i një pjese të brezit të tyre dhe këtë e dëshmonte qartazi dhe libri i Muhametit.

“Thinjat u zbardhën” ishte dhe mbeti libri i parë dhe i fundit i autorit sa qe gjallë. Ai nuk arriti ta shihte të botuar qoftë dhe një pjesë tjetër nga gjithë sa kishte hedhur në letër nëpër vite. Ishte ky një peng i hidhur që poeti e mori me vete.

II.

S’ka dyshim që Muhamet Ademi, ndonëse këndoi në heshtje e vetmi dhe nuk komunikoi thuajse tërë jetën me opinionin, ishte një poet i talentuar. Këtë do ta dëshmonte që në krye të herës, kur botoi vjershat e para në fillim të viteve ‘40. Ai u prezantua si një zë premtues i poezisë shkodrane të kohës, pjesë e asaj çete të vogël talentesh letrare që po debutonte në letrat shqipe. Ishte ky një brez që vinte nga një mjedis i përbashkët i një treve poetike, në një kohë udhëkryqe, ngarkuar me ngjarje të rënda, siç qe pushtimi fashist, të cilin e përjetonin dhe e vuanin bashkarisht. Një brez jo vetëm me ëndrra e dëshira të guximshme të moshës, po dhe me interesa të gjera, me kulturë e të ballafaquar me botën, sepse shumica e tyre vinin nga bangat e universiteteve.

Produkt i këtij brezi e i kësaj klime do të ishte dhe Muhameti, i cili vërtet kish studiuar për shkenca të natyrës, por ishte një natyrë e ndjeshme, kish një shpirt poetik, i këndonte zemra dhe kjo do të bënte ta përjetonte jetën emocionalisht dhe ta perceptonte botën figurativisht. Pra, brenda tij do të gjallonte poeti dhe do të vinte çasti që një ditë të shprehej në vargje. Në fillim, ato do të qarkullonin në rrethin e ngushtë të shokëve, të cilët do t’ia pëlqenin dhe pastaj do të merrte zemër e do t’i botonte në faqet e revistës “Fryma” Ishte atëherë 21 vjeç dhe do të dilte para lexuesve me vargje të frymëzuara, të ngarkuara me ëndrrat dhe emocionet e ngrohta të moshës, por dhe me shqetësimet e kohës. Ndihen në to mesazhe liridashëse, dhembja dhe revolta ndaj robërisë së huaj dhe përpjekja për të gjetur rrugën e shpëtimit. Ndërkaq i zgjohen dhe motive të tjera, veçanërisht ai i dashurisë. Nëpër vargjet e tij shpërfaqet imazhi i vashës, çaste gazesh dhe brengash të një zemre të dashuruar. Nga ana tjetër, poetin e ri e trishton koha që ikën me vrap dhe nostalgjia për fëmijërinë e humbur.

Ai është në kërkim të kredos së vet e, akoma më shumë, në kërkim të vetvetes, të një ideali për t’i shërbyer atdheut, ndaj dhe bën thirrje për një jetë më të mirë e më të drejtë. Mendimet e tij i shpreh me një gjuhë figurative, në varg të lirë, me një shprehje moderne. Ai ecën nëpër rrugën që ka hapur Migjeni dhe Gaspër Pali, por nuk përjashtohet, në një farë mënyre, ndikimi hermetik i poezisë së Xh. Ungaretit, që e kish aq fort për zemër.

Ishin këto vjershat e rinise se tij, prologu i një kënge që vetëm sa do të niste, që me kohët që erdhën më pas, do të mbetej një episod i paharruar në mes ëndrrës së bukur e zhgjëndrrës së hidhur. Sepse koha e pasluftës ia ndërpreu dhunshëm këngët që kish nisur. Erdhën të tjera kohë, të tjera zakone. O tempora, o mores, qe e përkthyer në kontekstin e historisë, një tjetër shoqëri, me të tjera ligje e tjetër filozofi e moral, të cilat s’kishin të bënin me poezinë që ai kish nisur e, aq me tepër, me filozofinë e jetës së tij. Përmbysja e madhe që ndodhi ia ndryshoi krejtësisht pozitën shoqërore, e privoi nga pasuria dhe e zhveshi krejt nga prona, duke e kthyer në të deklasuar. Qe një cilësim i ri, që do ta damkoste si qytetar dhe do t’i kryqëzonte këngët liridashëse.

Muhameti, megjithatë, nuk e braktisi muzën e rinisë; përkundrazi, ai u lidh fort pas saj duke iu kthyer nëpër vite shoqja e tij më besnike. Asaj do t’i besonte gjithë të fshehtat e jetës, gjithë ç’hiqte shpirti i tij, revoltën dhe indinjatën e heshtur, brengat e dertet e nëpërkëmbjes dhe diskriminimit klasor, mendimet krenare dhe të trishtuara, ëndrrat e një nate pa fund, makthet e ankthet, që do t’i sillte “biografia”. Poezia e tij do të bëhej kështu zëri i tij i brendshëm, alteregoja që do t’i jepte kuptim jetës, si shprehje e dinjitetit njerëzor dhe intelektual. Dhe, kësisoj, ajo do të merrte një përmbajtje e një frymë tjetër, një rol tjetër, një funksion jo më shoqëror, por krejt vetjak, që sado absurd dhe paradoksal të duket, ishte një realitet. Realiteti i një letërsie, lindur në fshehtësi, i poezisë të jashtëligjshme, që ai do ta këndonte në një kohë që s’ishte koha e tij, me nota e tonalitete që i diktonte pozita e vështirë në një shoqëri totalitare. Ishte ky një ditar shpirtëror, ku ai regjistroi e pikëzoi gjithë ç’ndodhte me të dhe tërë shtresën që i takonte.

Poezia e Muhamet Ademit do të bëhet kështu zëri i kësaj shtrese të deklasuar dhe të diskriminuar, të degdisur në periferi të shoqërisë shqiptare. Vargjet e tij janë pasqyrë autentike e kundërvënies me kohën që jetonte, e qëndrimit të paepur antikonformist, i dramës që ziente brenda vetes. Vargje me hone vuajtjeje e dhimbjeje, po dhe me lartësi shpirtërore, në të cilin të ngre dinjiteti i vërtetë njerëzor. Vargje here-herë me një ndjeshmëri gati sizmike që rrokin e regjistrojnë lëkundjet dhe tronditjet, që ngjanin në mikrobotën e tij e të sivëllezërve të tij. Një ndjeshmëri që çuditërisht shfaqet sa e ashpër, aq dhe e përkorë e delikate. Ajo bëhet shqisa e shtatë e poetit, madje

shqisa e shqisave, e përftuar nga mungesa e lirisë.

Liria është kryetema e poezisë së Muhamet Ademit. Ajo ngre krye në çdo varg e në çdo këngë të tij. Liria si themel i ekzistencës njerëzore, liria shpirtërore, liria shoqërore, liria e mendimit dhe e fjalës së lirë, liria për të shpalosur personalitetin, aftësitë dhe dhuntitë. Por të gjitha këto mungonin për poetin dhe kjo e bënte të vuante, të revoltohej dhe të shpërthente. Kështu, liria do të kthehej në një ëndërr të dëshiruar, do të ishte një iluzion, një rendje drejt saj, një dramë shpirtërore, që ai e përjetoi për dekada të tëra dhe e arriti në moshën e pleqërisë.

Drama e poetit do të zhvillohej përmes një konflikti të ashpër midis tij si protagonist dhe “biografisë” si antagonist. Ai do të ishte njeriu i deklasuar, i damkosur për nga prejardhja, kundërshtari potencial, pabarabartë ne mes të barabartëve dhe nga ana tjetër “biografia”, të cilën poeti e personalizon. Është shteti, janë ligjet diskriminuese të shkruara e të pashkruara, që i rrinë si shpata e Demokleut mbi kokë , është përgjimi dhe përndjekja, dyshimi që e ndjek ngaherë pas si hije, është tërë ai mekanizëm shoqëror, që i mbyt ëndrrat e i tremb mendimet, i privon sigurinë e i kërkon nënshtrim. Në përfytyrimin e poetit “biografia” është një bishë që nuk i ndahet, shumëfytyrëshe si kameleon, e egër dhe e pabesë, dinake, tinëzare dhe e pamëshirshme. Në këtë dyluftim të heshtur protagonisti është i detyruar të zgjedhë durimin dhe vetminë, tërheqjen në veten e vet, por, në të njëjtën kohë, të j,^pjë e të punojë në simbiozë me shoqërinë e lcohës së tij.

Nëpërmjet vargjeve lokalizohet qartë dhe hapësira ku zhvillohet konflikti i dramës së poetit. Është Kërraba, një toponim i njohur, fshati minierë i ngritur mes malesh, vendbanim fshatarësh e njerëzish të nëntokës, me të cilët poeti përpiqet të ndërtojë raporte njerëzore, sidomos me iemijët dhe kolegët e shkollës, ku ai punon. Kjo është

jeta shoqërore, pozita e tij qytetare, ndaj së cilës tregohet korrekt, një qytetar-fshatar i rregullt, i komunikueshëm dhe i gjindshëm, aq sa fiton respektin e njerëzve. Por vetëm kaq. Asnjë lidhje te brendshme, ndihet disi i huaj, jeton në një kohë që është kundër tij. Të dy palët nuk e qasin njeri-tjetrin. Është një dyluftim i ashpër që rrok tërë vargjet e tij. Të vetmet lidhje janë ato me familjen, dashuria për gruan, Lizën, dhe fëmijët, me miqtë e pakët e të largët, që i takon rrallë, me vetminë e tij, e kthyer në një vetje të dytë, me natyrën, drurët dhe lulet e veçanërisht me librat, shokët e tij të heshtur.

Mbi të gjitha këto marrëdhënie bie hija e “biografisë” dhe kjo e bën të vuajë, ta ndiejë veten fajtor, t’i duket se ai është shkaku i viktimizimit të familjes. Dhe pengu më i madh është Liza, që lidhi fatin dhe jetën e saj me një të deklasuar.

“Po,/ – thërret ai./ të gjitha fjalët në nji: ti/ Këtu i jetoj fjalët e tua/ edhe shikimin / edhe lëvizjet/ edhe kujtimet”

Dhe kjo këtu është Kërraba, ferri i tij, vendi i internimit shpirtëror, ku “ditët e vitet thërrmohen e pluhrosen, të hidhuna, të heshtuna, të mbytuna, të vjetrueme” Pra, një jetë e pasigurt, pa perspektivë, sepse, siç thotë ai, “të ardhmes nuk ia gjeta kurrë çelsin” Kjo e trondit dhe e bën të vuajë, e shtyn të shpërthejë dhe t’i thotë hapur mendimet dhe mospajtimet flagrante, kur shprehet:

“Parti/ un e ti/ si miu me macen/ Ti me kafshue/ Unë me jetue!/ Por deri kur kështu?”

Dhe vjen një çast, kur ai shpreh dufin me fjalët:

“Unë s’hesht, por vikas.”

Dhe vërtet, kulmet e poezisë së tij janë një vikamë e fuqishme, një revoltë tronditëse, një thirrje në shkretëtirë, një zë i vetmuar, që jehon brenda tij. Janë këngë të mbyllura, që i këndon vetmeveti, jo me këngë të hapura,

siç i këndoi dikur në rini. Nga një këngëtar ëndërrimtar kthehet në një këngëtar të revoltuar, që ngre krye e s pajtohet me diskriminimin social, me mendimin dhe fjalën e ndaluar. Kështu i mbyllur krejt në vetvete, heroi i poezisë së tij është ai vetë, individi brenda kufijve të skajshëm të vetmisë, intelektuali në rrjetën e persekutimit, i degdisur diku larg. Kësisoj, heroi i lirikës së Muhamet Ademit mishëron e përfaqëson një dukuri të shoqërisë totalitare të kohës, shtresën e intelektualëve të përndjekur. Ai bëhet zëdhënës i tyre, zëri i qëndresës shpirtërore dhe i urtësisë njerëzore, por dhe i mosnënshtrimit, i qëndrimit stoik ndaj vuajtjeve të pamerituara dhe padrejtësive. Ajo që të bën përshtypje të pashlyeshme është fakti që Muhameti nuk di të urrejë, ai tregohet human, në kontrast të plotë me kohën që është sjellë jo njerëzisht me të.

Pozita komplekse e poetit, gjithë vorbulla e mendimeve të tij, situatat e forta emocionale do të gjejnë shprehjen e tyre më të mirë kryesisht te poezia lirike. Kemi të bëjmë, në radhë të parë, me një lirikë mendimi, një poezi meditative, me përsiatje filozofike që buron nga jeta dhe përjetimet e përditshme, nga situata dramatike dhe rrethana aspak njerëzore. Ndërkaq, në poezinë e tij nuk mungojnë dhe motive të dashurisë e të natyrës, reflekse të botës që i rrethon.

Poezia e Muhamet Ademit është shkruar në vargje të lira, ndoshta si mënyra më e përshtatshme për të shprehur lirisht aspiratat e veta liridashëse, për tu ndjerë, për t’u treguar ai që është në të vërtetë. Ndoshta trajta klasike në gjer^jen që ndodhej, nuk i shkonte për shtat, apo dhe e pengonte. Madje tregohet aq i drejtpërdrejtë sa nuk fshihet pas metaforave të vështira e, për me tepër, pas vargjeve hermetike. Ai shfaqet ballazi dhe burrërisht.

Është interesante të vihet në dukje që nëse se poeti në shoqëri, në mjedisin e tij shoqëror ka zgjedhur vetëpërmbajtjen, urtësinë dhe heshtjen, në jetën vetanake, në sferën e krijimtarisë, në poezinë e tij, ndihet krejt i lirë që jo vetëm nuk hesht, po thërret, i kundërvihet dhe ndeshet virtualisht me realitetin, me filozofinë dhe moralin sundues, me mendimin antagonist, me demagogjinë dhe hipokrizinë.

Nga ky konflikt i brendshëm, shpesh i ashpër dhe i dhimbshëm, përftohet poezia e tij, një poezi e mirëfilltë disidente.

Poeti zakonisht lëvron lirikën e shkurtër, rrallëherë poezi të gjata, madje dhe ndonjë poemë, që e ka lënë në dorëshkrim. Po te lirika e shkurtër, me sa duket, gjen më shumë vetveten, i përgjigjet më mirë rrethanave dhe pozitës së tij. Ndaj ato, të shprehura me një stil konciz, me fjalë të kursyera, janë më tepër akuarele situatash, pikëzime çastesh, jehona ngjarjesh, shpërthime e vikama, që, të marra të gjitha së bashku, përbëjnë rrëfimin e tij në trajtë monologu, që ai zhvillon me veten. Dhe ajo çka ndihet, është gjithnjë ai, i njëjti karakter, konsekuent dhe i paepur. Është autoportreti i tij shpirtëror dhe intelektual, kredoja e tij, gjithnjë besnike, antikonformiste.

Nga ana tjetër, të lë mbresa prirja që, ashtu siç janë të shkurtra lirikat, edhe titujt e tyre përmblidhen me një fjalë të vetme, goditëse si një shigjetë mendimi.

Në poezinë e Muhamet Ademit ndonëse zotëron lirika e mendimit, ajo është e ndjerë, jo cerebrale, e vetvetishme, e sinqertë, e shprehur bukur. Gjuha e vargjeve të tij është e folmja e vendlindjes, një shkodranishte e ëmbël dhe e rrjedhshme, që të kujton Mjedën, traditën e tij, pas të cilës eci brezi i ri i poetëve të Shkodrës, G. Pali, A. Pipa etj.

Vëllimi që kini në dorë u ngrit dhe e strukturua me një pjesë të zgjedhur nga lënda e pasur e dorëshkrimeve që ka lënë poeti. Ishte një kënaqësi e veçantë, por dhe detyrim shpirtëror për mua që u mora me këtë punë, një ndërmarrje e vështirë, delikate dhe me përgjegjësi. Nuk e pata të lehtë të hyja në pyllin e fjetur të dorëshkrimeve të pafundme të mikut tim.

Ai vetë, sa qe gjallë, nuk u la ndonjë testament trashëgimtarëve e, aq më tepër, nuk më dha mua ndonjë porosi. Ai ishte aq modest sa nuk di të them sa qe i ndërgjegjshëm për vlerën e gjithë asaj që shkroi. Por ne të tjerët që e njohëm nga afër dhe e çmuam, që patëm fatin dhe nderin t’i lexojmë dorëshkrimet e tij, nuk mund të rrinim indiferentë. E përgatitëm këtë vëllim me dashuri dhe po ua paraqesim lexuesve jo vetëm si homazh, por dhe si një kontribut me vlera të mirëfillta letrare, veçanërisht të letërsisë së disidencës shqiptare, që ka çfarë u thotë e u përcjell brezave.

Burimi: gazetadita.al