Specialistët mblidhen për Gjirokastrën: Qyteti muze po vdes, rrezikohet të humbasë statusin

Gjirokastra është në situatë tragjike. Kështu shprehen specialistët e trashëgimisë kulturore në vend. Edhe pse në reagimet e tyre herë pas here kanë pohuar për gjendjen që është në Gjirokastër, sërish ata bëjnë me dije se ndër vite është bërë shumë pak për të ruajtur vlerat e qendrës historike. Forumi për Mbrojtjen e Vlerave të Gjirokastrës zhvilloi në Akademinë e Shkencave një takim, ku shtëpitë tradicionale gjirokastrite, arkitektura, tipologjia, gjendja e konservimit dhe e ardhmja e kësaj trashëgimie kombëtare dhe botërore ishin në diskutimet mes të pranishmëve. Profesor Emin Riza personaliteti i studimeve të arkitekturës tradicionale gjirokastrite njëkohësisht dhe hartues i dosjes së Gjirokastrës në UNESCO, shprehet se ruajtja e autenticitetit dhe vërtetësisë është esenciale për Gjirokastrën. “Emergjencë për Gjirokastrën është mirëmbajtja e banesave monument kulture. Mirëmbajtja e gjendjes ekzistuese, sepse gjithmonë duhet të kemi parasysh që dhe rindërtimet që duhen bërë ato nuk janë më origjinale, por janë kopje të origjinalit. Ruajtja e autenticitetit dhe vërtetësisë ajo është esenciale për Gjirokastrën. Nëse vazhdohet me këtë ritëm do të kalojnë 50 apo 100 vjet dhe do të kemi një kopje të Gjirokastrës”, u shpreh Riza. Sipas tij nëse kjo situatë vijon, pas disa dekadash Gjirokastra rrezikon të humbasë statusin qytet muze. “Ajo që tha Moikomi është e vërtetë, që mund të humbasë dhe statusin muzeor. Por Gjirokastra duke qenë origjinale në tipologjinë e saj dhe në përgjithësi në trajtimin arkitekturor dhe teknik natyrisht që ka një privilegj të madh për t’u ruajtur pavarësisht nga dëmtimet. Por e ritheksoj që dëmtimet në Gjirokastër janë të pariparueshme. Puna në rradhë të parë janë specialistët dhe fondet. Me specialistë quaj studiuesit, vlerësuesit njëkohësisht dhe restauratorët, mjeshtrat që merren me restaurimin e këtyre vlerave. Por në institucionet tonë prej vitesh janë problemet me mungesën e specialistëve”, u shpreh akademiku Emin Riza.

Gjirokastra për përkujdesje shtetërore

Pjesëmarrës në takimin për Gjirokastrën, arkeologu dhe studiuesi Moikom Zeqo u shpreh prej vitesh ka munguar përkujdesja shtetërore. “Situata sotme për mua në Gjirokastër është tragjike. Kjo do të thotë që nuk ka asnjë përkujdesje shtetërore për Gjirokastrën. Forumi i Gjirokastrës, që ne e kemi themeluar para shumë vitesh e bëri takimin për të treguar se si është situata e sotme në Gjirokastër, por pavarësisht fjalëve dhe analizave që dhamë, ne nuk kemi asnjë atom në vendimmarrjen shtetërore. Pra pa këtë vendimmarrje Gjirokastra nuk mund të shpëtojë. Gjirokastra është një qytet muzeor i klasit të parë edhe në rrafshin ballkanik, por që është duke vdekur, sepse monumentet duan forca të mëdha për ti mirëmbajtur dhe restauruar. Shumë monumente të kategorisë të parë, por dhe të dytë janë rrëzuar në Gjirokastër”, u shpreh studiuesi Zeqo. Në reagimin e tij si specialist i trashëgimisë kulturore Moikom Zeqo vijon se nëse nuk ngihet një komitet emergjence do të ketë shumë humbje, duke shtuar se duhet menduar dhe për Beratin. “E kam thënë dhe më parë që duhet ngritur një komitet emergjence për Gjirokastrën, por dhe për Beratin, pranë kryeministrisë dhe ky të ketë atribute për të marrë vendime dhe fonde në mënyrë që të bëhet shpëtimi i këtyre gjërave. Po nuk u bë kjo do të kemi shumë humbje. Nëse ne nuk kujdesemi padyshim që Gjirokastra rrezikon shumë. UNESCO është një pjesëmarrje në dy legjislacione, si ai ndërkombëtar dhe legjislacioni kombëtar. Nëse ne nuk bëjmë detyrën tonë në qytete muzeore që kanë tagrin e UNESCO-s fare mirë dhe mund të heqin nga lista”, vijon studiuesi Zeqo. Për studiuesin gjendja me probleme në monumenteve të kulturës është dhe për shkak sepse drejtuesit në institucione nuk kanë menduar si duhet për ruajtjen e këtyre vlerave. “Mundësitë që një komb të bënte për trashëgimitë e tij janë të pafundme, por ata që kanë drejtuar te ne janë mediokër të mëdhenj, dhe në fushën e trashëgimisë nuk kanë as konceptet më elementare. Kjo na ka bërë që ne të mos kujdesemi për këtë trashëgimi kulturore që kemi”, vijon studiuesi Zeqo. Por për gjendjen që ka Gjirokastra sot ai shprehet se nuk është çështje vetëm e Ministrisë së Kulturës. “Për mua nuk është çështje e ministrisë, por më e madhe. Nuk është vetëm e qeverisë shqiptare, por është çështje mbarëkombëtare shqiptare, që të ruajnë një nga qytetet më tipologjik shqiptar” u shpreh më tej studiuesi i njohur Moikom Zeqo.

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/