Shkruan: Sunaj Raimi
Qëllimi i kësaj kumtese shkencore është që të vëjë në spikamë dukurinë e zbehjes së elementit shumë të rëndësishëm të kulturës gojore shqiptare, ate të oratorisë tradicionale të farkuar nëpër oda të burrave dhe oxhaqe farefisnore. Tani më është e njohur se trendet e zhvillimeve të hovshme tekniko-teknologjike me prurjen e disa momenteve të mira, me vete kanë sjellë edhe momente jo të mira, të cilat tinëzisht po e lëndojnë këtë begati kulturore shpirtërore të shqiptarëve. Depërtimi dhe ekspansioni i radiove, televizorëve dhe kompjutorëve në odat e ndejës dhe dhomat e fëmijëve, ku diku kultivohej arti i të folurit, mjeshtëria e diskutimit si dhe rrëfimi i tregimeve të ndryshme, kohëve të fundit e ka margjinalizuar dukshëm këtë visar shpirtëror shqiptar. Gjeneratat e reja të cilët flejnë dhe zgjohen me këto aparate intime të civilizimit modern, kanë probleme të theksuara jovetëm me oratori, respektivisht me vendosjen e komunikimit kulturor, racional dhe estetik, por edhe me ndërtimin e personalitetit dhe individualitetit të tyre. Në odat tradicionale të burrave, që ndër shqiptarët nuk ishin vetëm parlamente familjare, por edhe gjyqe popullore e këshillimore jetësore, trajtoheshin tema dhe probleme më të ndryshme nga jeta e njerëzve të kohës. Gjatë kultivimit të kësaj tradite stërgjyshore gjeneratat e vjetra flitnin, kuvendonin, analizonin, këshillonin, derisa gjeneratat e reja dëgjonin, mësonin, pyetnin e diskutonin. Kjo ishte “furra” ku piqeshin karakteret e fëmijëve, ku socializoheshin gjeneratat e reja, ku trajnoheshin të miturit për ta dhënë provimin e pjekurisë. Mirëpo është për të ardhur keq se sa pa hetuar po na zhduket nga horizonti shoqëror ky kolorit kulturor, i cili në embrion fsheh diçka që ngjason me oratorizmin e epeve homerike. I shqetësuar nga kjo humbje kulturore, në këtë punim shkencor do të orvatem t’i shtjelloj disa shkaqe dhe arsye kryesore, të cilat sipas meje kanë sjellur zvetnimin e oratorisë tradicionale në kulturën shpirtërore të shqiptarëve.
Kështu, sipas mendimit tim ndër shkaqet kryesore që kanë sjellur zbehjen e kësaj pasurie gojore të kulturës shqiptare mund të numërohen: transformimi i familjes tradicionale në ate moderne (nukleuse), ndikimi i teknologjisë bashkëkohore (radioja, televizioni, filmi, interneti, telefonia celulare), argëtimi tjetërfare i të rinjve (jeta më liberale), realizimi i arsimimit përmes mësimit me shkrim (testeve), e jo përmes shkathtësive gojore etj.
Kur flasim për zvetënimin e oratorisë tradicionale në të jetuarit kulturor të shqiptarëve, konsiderojmë se transformimi i familjes tradicionale në ate moderne ndoshta paraqet faktorin e parë kryesor që ka shkaktuar erozionin e artit të bisedofilisë.shqiptare bashkëkohore. Nga hulumtimet e gjertanishme sociologjike, antropologjike dhe demografike, na bëhet e qartë se marrë përgjithësisht, populli shqiptar është dëshmuar si popullatë me dominancë të familjes tradicionale, me elemente të theksuara të familjarizimit patriarkal. Duke u nisur nga këto premisa, është e rëndësishme të dijmë se pikërisht në këso organizata familjare tradicionale, ku shqiptarët jetonin nëpër familje të zgjeruara, bashkëjetonin dy, tre, apo katër gjenerata familjarësh, të cilat funksiononin sipas një hierarkie çuditërisht respektabile. Në këtë superstrukturë organizative të këtyre familjeve të mëdha, gjithmonë ekzistonte një odë e burrave, ku pjesëtarët e familjes i pleqnonin çështjet e ndryshme jetësore, duke filluar nga ato të thjeshtat e deri tek ato më të ndërlikuara. Ç’është e vërteta, nëpër këto oda tribunale gjeneratat e reja e mësonin mjeshtërinë e të diskutuarit, eksperiencën e sfidave jetësore, filozofinë e të qenurit të pjekur. Nëpër këto odeone të retorikës popullore, më të moshuarit e dëshmonin mençurinë dhe autoritetin e tyre, përderisa të rinjtë e shijonin shijen e përgjegjësisë e të bërit burrë. Në odat e këtilla hijerënda, jovetëm të rinjtë por edhe ata të papërvojët, kishin rast ideal të mësonin se kur duhet të flitet, si duhet të flitet dhe sa duhet të flitet. Mirëpo, në të njejtën kohë, nëpër këto mjedise shoqërore mësohej edhe kur duhet të heshtet, sa duhet të heshtet apo në ç’mënyrë duhet të arsyetohet ajo heshtje! Në ato “senate burrërie” ishte rregull e pashkruar që derisa flitnin pleqtë, gjithmonë duhej të pushonin të rinjtë, ndërsa nga bashkëmoshatarët pleq, përparsi diskutimi prore kishin ata burra që njiheshin për përvojën e begatshme jetësore apo siç thuhej ndryshe ”burrat e urtë që dinin muhabet”.
Por e gjithë kjo traditë e parlamentarizmit burrëror arkaik, tek shqiptarët filloi të zhbëhet atëherë kur edhe familja shqiptare u ballafaqua me trendet evropiane të transformimit sociokulturor. Me fjalë tjera, kjo dukuri antitradicionaliste u paraqit kur gjeneratat e reja të shqiptarëve, filluan të krijojnë familje bashkëkohore, të njohura si familje bërthamë me që përbëheshin nga prindërit dhe fëmijët e tyre. Për shkak të këtyre ndryshimeve përmbajtësore, fëmijët e këtyre familjeve moderne nuk kishin mundësi të prezentojnë nëpër kuvendimet e oratorive familjare, sepse numri i pjesëtarëve të tyre ishte tkurrur në 5-6 anëtarë. Përveç kësaj, familja tanimë kishte marr një tjetër identitet, me që prindërit pjesën më të madhe të kohës e kalojnë në punë, derisa vetë fëmijët thuajse tërë ditën janë të angazhuar në shkollë dhe aktivitete tjera të programuara. Duke mos patur mundësi t’i kultivojnë shkathtësitë oratorike të stërgjyshërve të tyre, me që s’kishin fat të dëgjojnë se si duhet të flitet dinjitetshëm, fëmijët e këtyre familjeve moderne e përjetojnë ndryshkjen e kësaj tradite të kulturologjisë shqiptare. Ç’është e vërteta, modernizimi i familjes shqiptare këtyre fëmijëve ua shkatërroi punëtorinë e farkimit retorik, sepse farkëtaria e lashtë më nuk ekzistonte. Ajo ishte modernizuar dhe industrializuar, sikur edhe të gjitha segmentet tjera të jetës bashkëkohore. Këto gjenerata të reja të rinisë shqiptare, debatet mbi dramat e jetës nuk kishin mundësi t’i dëgjonin në odat e shtruara me postoqi dhe të tymosura me kaçak, siç bënin gjeneratat e mëparshme të të rinjve shqiptar! Kompensimin e këtyre shkathtësive të komunikimit njerëzor, këto gjenerata moderne e bëjnë nëpërmjet disa institucioneve moderne si teatrove, kinemave, shoqatave civile apo klubeve rekreative etj. Por parashtrohet pyetja se a mund ta zëvendësojnë këto institucione moderne frymëzimin tradicional patriotik të popullatës, të cilën gjë historikisht e bënin odat e burrave?! S’ka dyshim që pyetja e parashtruar na çon drejt ballafaqimit me realitetin shoqëror shqiptar, ku mungesa e këtyre virtyteve kulturore të kombit tonë, ka sjellur degjenerimin e tabanit të shëndoshë të komunikimit gjithpopullor.
Përveç këtij faktori sociokulturor, zbehjen e oratorisë e ka përshpejtuar edhe zhvillimi i hovshëm i masmediumeve, duke filluar nga radioja, televizioni, filmi, interneti, telefonia celulare etj. Tanimë është vërtetuar shumë herë se sa më thellë që ka depërtuar ndikimi i masmediumeve në jetën familjare të njerëzve, aq më tepër ka ndodhur indoktrinimi kulturor-vleror i atyre që janë pushtuar nga këto varietete të të jetuarit bashkëkohor. Duke qenë se të rinjtë shqiptar, ngjashëm me të rinjtë tjerë anë e mbanë botës, gjenden nën një ndikim të madh nga këto mekanizma masmedial (për të mos thënë se gjenden në varësi), s’ka dyshim se edhe “çipi i konceptit jetësor” të këtyre njerëzve ka filluar të formatohet në përputhje me sistemin e vlerave të promovuara nga masmediumet e përmendura. Nga ajo që e tregon përvoja e përditshme jetësore, një i ri shqiptar ndërtimin e personalitetit të tij më tepër e identifikon me heronjtë, ngjarjet dhe vlerat që promovohen në televizione, filma dhe internet, se sa me ndonjë personalitet tradicional apo figurë burrërore që rrezaton oratori, burrëri apo këshilla të dobishme jetësore. Ky substitucion i tradicionales me modernen si duket ka sjellur deri te komprometimi i sistemit të vlerave tradicionale kombëtare, ku një vend qendror e zen oratoria e lavdishme e odave shqiptare. Sikur ta pyetnim ndonjë të ri se pse odat e burrave dhe oratoria që zhvillohet në to nuk iu zgjon interes dhe ndjenja krenarie, ata sigurisht do të përgjigjeshin se biseda dhe polemika shumë më të mira mund t’i gjesh në gazeta, revista, në kanale televizive apo web faqe të specializuara për këte. Por një gjë nuk e dijnë, e ajo është se diskutimet me peshë burrërore, kuvendimet e urta përsfidat jetësore , pleqnimi vetëmohues i veseve njerëzore, aplikimi i drejtësisë në jetë, sikur edhe meselet apo anekdotat e krijuara në vorbullën e jetës së përditshme, janë gjëra që nuk mund të zëvendësohen, sepse fundja edhe romanet apo skenaret e filmave, në të shumtën e rasteve bazën e kanë në to.
Një agjens tjetër që e ka dëmtuar dukshëm fenomenin kulturor të shqiptarëve – pra oratorinë tradicionale, paraqet edhe argëtimi tjetërfare i të rinjve. Sot siç e dijmë të gjithë, rinia jeton një tjetër mënyrë të jetës, e cila si e tillë nënkupton edhe mënyrën tjetër rekreacionit apo harxhimit të kohës së lirë. Kësaj dukurie i ka kontribuar deridiku edhe realizimi i të ashtuquajturit revolucion seksual, që nënkupton lirinë e gjeneratës së re për jetë seksuale më liberale, sikur edhe lirinë e argëtimit të natës. Për dallim nga koha para tre-katër dekadave ku rinia shqiptare kryesisht argëtohej nëpër dhoma ndejash të farefisit, rinia e sotme këte e bën nëpër kafeteri, bare, pabe e diskoteka. Në kohërat e përmendura tradicionale shokët dhe shoqet zbaviteshin me lojëra të ndryshme si bie fjala peshkir, unazë, rrëzim duarsh, maskim, nuse, letra bixhozi etj. Me këtë rast në këto ambiente familjare vinin edhe më të moshuarit, të cilët në cilësinë e spektatorëve kurreshtarë apo të “jurisë” familjare, e monitoronin garën apo lojën, duke ndikuar fuqishëm në ndërtimin e sistemit të vlerave kulturore dhe formatimin oratorik të atyre pjesëmarrësve të rinj. Fatkeqësisht, invazioni dinamik i modernitetit sikur e ngulfati këtë traditë të pasur të kulturës shqiptare, me çka këto vlera kulturore etnike të krijuara nëpër shekuj, përnjëherëë filloi t’i mbulojë bloza e harresës. Në këtë mënyrë lojrat e lartpërmendura, së bashku me shakatë dhe trajnimet joformale të rinisë për të debatuar, në mesin e gjeneratave të reja sot gjithnji e më pak njihen, gjë e cila edhe më shumë e ndryshkë dhuntinë shqiptare për fjaltori të bukur.
Përveç kësaj, një faktor tjetër që ka arritë të ndikojë ndjeshëm në zbehjen e kultivimit të oratorisë tradicionale tek shqiptarët, është edhe i ashtuquajturi “arsimim i moderuar” i bazuar në trendet më të reja të metodologjive universitare në Evropë. “Faji” i këtij procesi arsimor të reformuar qëndron në promovimin paalternativ të mësim-edukimit me shkrim (përmes testeve, pyetësorëve, eseve dhe të ngjashme), me ç’rast të rinjve iu grabitet mundësia e të shprehurit me gojë. Mirëpo, nga përvoja jonë jetësore e dijmë se mësuesit e dikurshëm, të cilët nga pedagogët modernistë akoma etiketohen si anakronik, vlerësimin e diturive të nxënësve e bënin në mënyrë klasike, dhe ate përmes pyetje-përgjigjeve me gojë. Me shekuj të tërë, metodat e këtilla prodhuan oratorë të lavdishëm, fjalimet e të cilëve edhe sot përmenden me simpati dhe pietet të lartë. Kjo teknikë e moçme e komunikimit njerëzor, të cilën kushtimisht do ta quaja “filozofi e fjalës sokratiane”, (me që sipas Sokratit diskutimi dhe fjala gojore kishin shpirtë, ishin të gjalla, përderisa fjala e shkruar është e vdekur, e pa shpirtë), ende gjeneron në ndejat e oxhaqeve shqiptare. Megjithëse kjo praktikë e të nxënit është gjërësisht e njohur, ajo sikur nuk vlersohet si duhet dhe sa duhet, prandaj si pasojë e mos aplikimit të kësaj filozofie jetësore, vjen deri tek topitja e shkathtësive oratorike të gjeneratave të reja. Kësisoji, në rrethana kur nxënësi apo studenti gjithmonë përgjigjet vetëm me shkrim, atij në fakt i shuhet shkathtësia për diskutim dhe prirja për polemizim. Personi i cili gjatë ndërtimit të personalitetit të tij, qoftë në mënyrë joformale (edukimit familjar) apo mënyrës formale (arsimimit akademik) nuk ka mundësi ta trajnojë veten për të diskutuar lirshëm, jovetëm që fiton pasiguri dhe mosbesim në veten e tij, por nuk di të mbrohet edhe atëherë kur duhet doemos ta bëjë këte! Nuk duhet harruar se valët e jetës mund të na përplasin me sfida të ndryshme, ku ndonjëherë duhet të mbrohemi sepse jemi të pafajshëm, por ndonjëherë duhet edhe të sulmojmë, për të mos na sulmuar. Ndërkaq kjo gjë mund të arrihet vetëm nëse jemi të shkathët në gojë, nëse dijmë të flasim bukur, nëse komunikojmë këndshëm, sepse nuk thuhet kot që “gojëmbëli gjithmonë i ka dyert çelë”. Megjithëse metodologjia moderne e mësimdhënies e avancon dukshëm panel diskutimin dhe mendimin kritik, odat oratorike të shqiptarëve nuk e humbin rëndësinë dhe funksionin jetik të tyre as këtë herë. Ç’është e vërteta, ato çdo herë kanë qenë dhe kanë mbetë çerdhe për dizajnimin e bisedave të bukura publike.
Nga tezat dhe argumentet e fundit që i shtruam, bëhet e qartë se pse duhet të stimulohen nxënësit dhe studentët për oratori të bukur, për kultivimin e çdo lloji të komunikimit gojor, rrjedhimisht edhe të oratorisë tradicionale që gjendet në erozion e sipër. Arsyeja është e thjeshtë, si çdo leksion i nevojshëm shkollor, ashtu edhe leksionet pragmatike jetësore, duhet t’i pregadisin të rinjtë që sa më mirë të gjenden dhe funksionojnë në shoqërinë e sfidave.
Kjo kumtesë e imja, dëshiroj të jetë një kushtrim sociologjik-etnologjik, për zgjimin e vetëdijes sonë të përgjumur, që përfundimisht t’i ruajmë dhe kultivojmë më tutje të gjitha vlerat tona kulturore, me të cilat jovetëm që i kthehemi rrënjëve tona të lavdishme, por njëkohsisht edhe njihemi si traditë endemike në paletën kulturore të botës.