VIDEO/ Lamtumirë akademik Luan Starova

Ndërron jetë në moshën 80-vjeçare shkrimtari dhe akademiku Luan Starova.

Luan Starova, si një nga personalitetet më larta të kulturës ballkanike, gjatë jetës së tij botoi një sërë veprash që kanë gjetur vend në historinë e letërsisë.

Një vend të veçantë në krijimtarinë e Starovës zë “Saga ballkanike” e tij, një lloj romani ciklik, i përbërë nga 19 romane. Po ashtu ai botoi edhe dy vëllime me tregime, një poezi, disa vëllime me ese dhe studime. Luan Starova ka përkthyer edhe vepra të poetëve të njohur francezë në gjuhën shqipe dhe atë maqedonase.

Disa nga veprat e tij u përkthyen në më shumë se 30 gjuhë të botës.

Romani “Koha e Dhive”, pjesë e Sagës ballkanike vlerësohet si kryevepra e Starovës dhe është vlerësuar me çmimin “Romani më i Mirë Europian” në vitin 1993.

Luan Starova lindi më 14 gusht të vitit 1941 në Pogradec, ndërsa dy vjet më vonë familja e tij emigroi në Jugosllavi, ku së pari u vendos në Strugë, pastaj në Tetovë, ndërsa në vitin 1945 në Shkup. Për një periudhë kohe, Starova punoi si gazetar, ndërsa më pas u pranua në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë frënge në Fakultetin Filologjik të Shkupit, në të cilën ka qenë profesor i rregullt i letërsisë frënge.

Luan Starova ka qenë ambasador I ish Jugosllavisë në Tunizi dhe Palestinë, dhe më pas ambasador i Maqedonisë në Francë, Spanjë, Portugali dhe pranë UNESCO-s. /SHENJA/