Schoolture TV

Dritare kulturore për të rinjtë

Tetovë, Biblioteka e qytetit me libra falas e promovoi leximin

Biblioteka e qytetit të Tetovës “Koço Racin” sot në kuadër të projektit “Njoftoje bibliotekën” u ndau libra falas të interesuarve të cilët kanë kaluar pranë objektit. Pjesë e aksionit është regjistrimi falas i anëtarëve të rinj në bibliotekë.

“Çdo vit bëjmë aktivitete promovuese rreth leximit, dhe dëshirojmë të jetë traditë pasi ka nevojë për promovimin e leximit dhe librave. Vendosëm të jetë jashtë në kontakt të drejtpërdrejtë me kalimtarët. Kështu fëmijët kësisoj mund të njoftohen me bibliotekën ndërsa të rriturve do t’u tregojmë se kemi shuma libra dhe kanë çfarë të lexojnë”, deklaroi Njomza Ismaili Imeri nga biblioteka.

Mesazhi kryesor për të gjitha librat ishte “Më merr, më lexo”. U ndanë edhe materiale të tjera promovues si defterë, stilolapsa, lapsa, markerë dhe ngjashëm.

“Me këtë dëshirojmë sa më shumë njerëz t’i stimulojmë të lexojnë libra. Numri i anëtarëve tanë gjithmonë është në rritje, asnjëherë nuk bie, por vlerësojmë se duhet pasur akoma më shumë njerëz të vijnë dhe të anëtarësohen që të lexojnë libra. Tetova si qytet me dy universitete ka potencial për shumë lexues të rinj”, tha Njomza Ismaili Imeri.

Një pjesë e librave të dedikuara si dhuratë janë vendosur në drunj përballë bibliotekës me qëllim që qytetarët në çdo kohë t’i marrin.