SONTE FILLOJNË MBRËMJET STRUGANE TË POEZISË/ Protokolle dhe numër i kufizuar i pjesëmarrësve dhe vizitorëve

Sipas protokolleve të veçanta për shkak të Kovid -19 dhe pa disa nga përmbajtjet tradicionale sot në Strugë fillon edicioni jubilar i 60 -të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë Mbrëmjet strugane të poezisë, transmeton Portalb.mk.

Hapja zyrtare do të jetë sonte në tarracën verore në hotelin “Drim”, kurse paraprakisht në skenën e verës në qendrën kulturore “Vëllezërit Milladinovci” do të hapet ekspozita “60 vjet mbrëmje strugane të poezisë”. 

Edicioni jubilar i festivalit do të mbahet nën moton “Dëshmitë e lartësuar, vargjet e lartësuara”, e cila thekson rëndësinë e Parkut të poezisë dhe simbolikën e mbjelljes së pemëve nga laureatët çdo vit, si akt që shënon rritjen e festivalit.

Shumica e leximeve të poezisë dhe portreteve të festivalit do të mbahen në tarracën në hotelin “Drim” dhe në skenën verore në Qendrën Kulturore, ndërsa është njoftuar prania e rreth 30 poetëve nga vendi dhe bota.

Manifestimi përfundon më 30 gusht, të dielën me leximin e poezisë ndërkombëtare “Urat” dhe ndarjen e çmimeve, “Vëllezërit Milladinovci” dhe “Urat e Strugës”, në tarracën e hotelit “Drim”.

Prania fizike e publikut do të jetë e kufizuar për shkak të kapacitetit të hapësirës dhe për shkak të protokolleve për mbrojtje, me detyrimin që të tregohet certifikata/ vërtetimi për vaksinim të bërë, gjegjësisht të kenë marrë të paktën dozën e parë të vaksinës ose certifikatë /vërtetim se e kanë kaluar Kovid-19 gjatë 45 ditëve të fundit, duke e përllogaritur ditën e shërimit, për persona të moshës mbi 18 vjet.

Programi i festivalit, duke filluar nga edicioni në vitin 2019, transmetohet i tëri drejtpërdrejtë në kanalin zyrtar të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë në Youtube, kështu që do të mundësohet ndjekja e plotë nga ana e audiencës më të gjerë.