Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, përkatësisht ato të rajonit të Ohrit ndodhen para një sfide të madhe: duhet të rrëzojnë mbi katërqind objekte të paligjshme përgjatë bregut të liqenit, në mënyrë që Ohri të mbetet trashëgimi, apo zonë e mbrojtur e UNESCO-s. Organizata e ka kushtëzuar Maqedoninë e Veriut gjatë samitit të së premtes në Baku të Azerbajxhanit që deri më 1 shkurt të vitit 2020 t’u përmbahet rekomandimeve.
Autoritetet qeveritare në Shkup, vendimin e UNESCO-s e vlerësojnë si një shtytje për qeverinë, ndërkohë që Ministri për Diasporën, Edmond Ademi, është shprehur se “duhet vepruar në mënyrë të bashkërenduar dhe se nuk ka kompromise”. Prej dje, edhe pjesa shqiptare e Liqenit të Ohrit u bë zonë e mbrojtur e UNESCO-s dhe dy shtetet fqinje duhet të bashkëpunojnë ngushtë për ruajtjen e kësaj pasurie.
Përfaqësues të organizatës së Kombeve të Bashkuara për çështjet e arsimit, shkencës dhe kulturës kanë theksuar në Baku se besojnë që periudha kohore që u është dhënë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, do të shfrytëzohet për bërjen e ndryshimeve dhe se rajoni i Ohrit nuk do të radhitet më në listën e zonave të rrezikuara të UNESCO-s.
Mbi 400 objekte janë vetëm në pjesën e bregut të liqenit ndërkohë gjithsej janë mbi 1000 ndërtesa ilegale që duhen prishur. Opozita maqedonase thotë se autoritetet lokale në Ohër disponojnë një buxhet prej vetëm 20 mijë eurosh për prishjen e ndërtesave të paligjshme, një shumë qesharake kjo, sipas opozitës.
Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate në pushtet që drejton edhe komunën e Ohrit, thotë se VMRO-DPMNE-ja për 11 vjet në pushtet, me shpërdorime, kriminalitet dhe korrupsion, e ka sjellur Ohrin në këtë gjendje.
Veç prishjeve, autoritetet vendore në Ohër duhet të shpallin moratorium për çdo ndërtim dhe ndryshime urbane në bregun e liqenit. /Voa/