MINISTRIA E KULTURËS SHPALL GARËN: Ja si do të aplikohet në konkursin vjetor

Ministria e Kulturës ka shpallur në faqen e saj zyrtare rregullat dhe afatet e konkurrimit për financimin e projekteve me interes nacional në sferat dhe aktivitetet e ndryshme të kulturës për vitin 2021. Këtë vit institucionet nacionale të kulturës për herë të parë nuk marrin pjesë në këtë afat konkurrimi, pasi me ndryshimin e Ligjit të kulturës gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme projektet e tyre janë dorëzuar në muajin gusht, shkruan gazeta KOHA. Konkursi është i hapur nga data 8 tetor deri më 10 nëntor për të gjithë personat fizikë dhe juridikë (institucionet e kulturës, private dhe lokale, njësi të vetëqeverisjes lokale, shoqata e të tjera) që kanë të drejtë të konkurrojnë vetëm në dy veprimtari të ndryshme, kusht ky që nuk vlen për të papunët (deri 35 vjeç). Këta të fundit do të duhet që së bashku me projektin të dorëzojnë edhe një dokument që vërteton statusin e të papunit.

Ministria e Kulturës kërkon po ashtu që nga personat fizikë dhe juridikë, projektet e të cilëve janë mbështetur financiarisht viteve të mëparshme, do të kenë plotësuar të gjitha detyrimet nga marrëveshjet me MK, në të kundërt nuk do të kenë të drejtë të konkurrojnë në konkursin e 2021. Po ashtu duke iu referuar kushteve të krijuara nga situata e pandemisë nga Kovid -19 MK rekomandon që projektet të mund të realizohen edhe në formë online. Nga Ministria bëjnë me dije se nuk do të shqyrtohen projektet që dorëzohen pas afatit të përcaktuar, formularë që janë mbushur me gabime, mangësi, e të tjera, si edhe nuk janë të shoqëruara me dokumentacionin plotësues adekuat. Si formë vlerësimi do të jenë pikët, sistem ky që aplikohet që në konkursin e dy viteve më parë. Pikët maksimale fitohen përshkrimi i projektit, mënyra e paraqitjes së buxhetit, por edhe referencat nga projektet e realizuara më parë, dhe nga sasia e pikëve të grumbulluara do të varet edhe shuma që do të akordohet. Këto janë rregullat e vendosura, edhe nga kontrolli revizor MK i është tërhequr vërejtja për mungesë standardesh të qarta në mënyrën e vlerësimit të projekteve dhe përligjjen e shumave të akorduara për to.

Më të favorizuara edhe këtë vit do të jenë ato projekte që janë në funksion të zhvillimit, afirmimit dhe promovimit të kulturës në vend në të shtatë kategoritë e konkurrimit – Arteve vizuale, arkitekturës dhe dizajnit – Folklorit, muzikës dhe aktivitetit muziko skenik -Dramës, Literaturës dhe botimit – Projekteve interdisiplinore – Mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, si edhe Bashkëpunimi ndërkombëtar. Rezultatet e konkurseve do të publikohen në ueb faqen e Ministrisë së Kulturës dhe në to do të prezantohen informacione për periudhën dhe vendin e aplikimit, shumën e akorduar nga ana e Ministrisë së kulturës, por edhe një përshkrim të shkurtër për realizuesin e projektit. Projektet shqiptare gjatë viteve të kaluara kanë qenë më të mëdha në numër në veprimtarinë e Botimit, Folklorit, Dramës e të tjera. Për momentin nuk dihet se cila do të jetë përbërja e komisioneve që do të merren me shqyrtimin e projekteve. Pritet që kryetarët e komisioneve, apo edhe anëtarët të zëvendësohen me emra të rinj sidomos në ato sektorë ku janë vërejtur parregullsi gjatë selektimit të projekteve fituese për Programet e viteve të kaluara. (koha.mk)