MINISTRI ISMAILI NË PANEL-DISKUTIMIN: “MEDIET KOMBËTARE – TELEVIZIONET NË SHTETET SLLAVE”

Në margjinat e Forumit të 8-të Kulturor të Shën Petersburgut, i organizuar sot nga Forumi i Kulturave Sllave, i cili këtë vit e shënon 15-vjetorin e themelimit të tij, u mbajt panel-diskutimi “Mediet Kombëtare – televizionet në shtetet sllave”.

Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, në fjalimin e tij para të pranishmëve theksoi se bëhet fjalë për një temë jashtëzakonisht të rëndësishme që i prek jo vetëm vendet sllave, por edhe vendet e tjera të botës.

“Mediet kombëtare, si shtyllë e kultivimit të traditës, vlerave kulturore dhe trashëgimisë kulturore, i lidhin iniciativat e ndryshme kulturore dhe artistike dhe mundësojnë shkëmbimin e informatave ndërmjet organizatave, artistëve dhe studiuesve në nivel ndërkombëtar dhe kontribuojnë në promovimin e vlerave kulturore për audiencën e gjerë. Për këtë arsye, në këtë kohë kur informatat transmetohen lehtë dhe shpejt, duke i ndjekur proceset e reja në kulturë, regjistrimin, prezantimin dhe dokumentimin e tyre, është e nevojshme të bëhet gjithçka që është në fuqinë tonë për të lehtësuar dhe përforcuar lidhjen mediatike, për shkak të ruajtjes dhe kultivimit të kulturës sllave dhe edukimit të duhur të brezave që vijnë pas nesh”, theksoi ministri Ismaili.

Ai përkujtoi se Republika e Maqedonisë së Veriut, si njëri nga vendet themeluese të Fondacionit Ndërkombëtar “Forumi i Kulturave Sllave” (FKS), përmes Ministrisë së Kulturës është e përfshirë në mënyrë aktive në pothuajse të gjitha iniciativat, aktivitetet dhe projektet që afirmojnë diversitetin kulturor, e inkurajojnë bashkëpunimin dhe mundësojnë planifikimin e një politike kulturore të zhvillimit cilësor që është në favor të shteteve sllave.