Sot në fshatin Batincë në Komunën e Studeniçanit u hap biblioteka e cila u mbështet nga Ministria e Kulturës, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Migrim (IOM), nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe nga sektori privat.
Në hapjen e këtij institucioni të rëndësishëm kryesisht për banorët e rinj të fshatit Batincë dhe të fshatrave përreth folën përfaqësuesit e organizatave që e mbështesin këtë projekt, ndërsa ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, vuri në dukje se përveç që Ministria siguroi një fond të madh librash për këtë bibliotekë, e mbështet nismën e Shoqatës së Qytetarëve Organizata Ekologjike e fshatit Batincë për këtë lloj të përpjekjes së tyre. Ai shtoi: “Unë jam i bindur se do të jetë një nxitje edhe për organizatat e tjera të ngjashme për t’u inkurajuar në realizimin e aksioneve për zhvillimin e zonave rurale dhe uljen e dallimeve ndërmjet qytetit dhe fshatit, si dhe për të hapur një mundësi kryesisht për të rinjtë që të gjejnë veten në frymën kozmopolite në ndërtimin e një shoqërie për të gjithë”.
Projekti është pjesë e strategjisë së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, nëpërmjet aktiviteteve shoqërore që synojnë, mbi të gjitha, rininë, për të ndërtuar një shoqëri humane e cila do të luftojë kundër të gjitha ndikimeve negative që i prekin të rinjtë dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm në çdo formë.