Jeta kulturore-artistike në kryeqtytin tonë, gjithnjë e më shumë po begatohet me koncerte dhe festivale me këndvështrime mjaft dinjitoze. I tillë pritet të jetë edhe Festivali i Këngës Popullore dhe Qytetare “Lyra” në qytetin e Shkup. Festival që do të zhvillohet me 05 nëntor 2019, në sallën e Shtëpisë së Armatës në Shkup në ora 20:00. Në një kuadër të tillë, ky festival paraqitet me një emër mjaft të spikatur, megjithatë mund të themi me plot bindje që për artdashësit e vendit nuk duket i huaj. Kthehemi në kohë, kur në qytetin e Shkupit në vitet 90’ mbizontronte një frymë e re me artistë të talentuar dhe në shërbim të artit dhe kulturës nën emrin “Lyra”. Por, si duket kjo shoqëri e vogël, për kohën që po trajtojmë ishte frymëzim për shumë pjesëtarë të kësaj shoqërie që edhe sot e kësaj dite, dëshirojnë ta ngrejnë në piedestalin e merituar këtë emër. Prandaj, nën ombrellën e shoqatës së muzikantëve dhe artistëve shqiptarë “Lorenc Antoni”, tashmë emri “Lyra” ka mbi supe një festival të këngës popullore dhe qytetare. Festival që në formatin e saj ka artistë të rinj, që në një mënyrë, apo në një tjetër, është mundësi që edhe ata të promovohen dhe të jenë pjesë e këtij festival me përmbajtje majft cilësore. Si rrjedhojë për këtë, artistët që do ta plotësojnë këtë mbrëmje artistike janë: Arshik Miftari, Filonid Aliu, Arsihana Luçi, Hana Palloshi dhe Donika Domazeti. Vlen të theksohet edhe një nga fenomenet që përmban ky festival, duke pasur parasysh përbërjen e gjithë orkestrës që janë artistë të diplomuar në vend dhe rajon, që do të intepretojnë drejtëpërdrejtë këngët më arkaike të repertorit të pasur shqiptar. Sigurisht që, shfaqja dhe përpunimi i shumë këngëve të vjetra popullore dhe qytetare, në këndvështrime më profesioniste, është një aspekt tjetër mjaft cilësor që përmban ky festival. Festivale të tilla, gjithmonë kanë qenë dhe mbetën frymëzim për ardhmërinë e kësaj shoqërie, për të mos devijuar rrugën drejtë muzikës së mirëfilltë. Megjithatë, ide dhe mendime të tillë japin shpresë për ditë të mira të kulturës shqiptare. Por, sidoqoftë ne urojmë një rrugëtim të mbarë të festivalit të këngës popullore dhe qytetare “Lyra”. Jesir Hoxha Muzikolog