Vendoset gurthemeli i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Mateç

Në Mateç të komunës së Likovës sot u vendos gurthemeli i shtëpisë së kulturës. Ndërtimet e objektit në fjalë mbështeten nga Ministria e Kulturës dhe Agjencia për mbështetje financiare për bujqësi dhe zhvillim rural. Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi tha se kjo shtëpi do të shërbejë për aktivitete të ndryshme kulturore, duke theksuar se kultura ndikon në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë.

Erkan Arifi, Kryetar i Komunës së Likovës
“Sot në komunë të Likovës kemi një festë, për arsye se vendoset gurthemeli i shtëpisë së kulturës ku do të shërbejë për aktivitete të ndryshme kulturore në komunën tonë. Ne të gjithë e dijmë se kultura është gjithçka që të kemi një shoqëri të shëndoshë kështuqë në bazë të thirrjes që kishte ministria e kulturës, ne si komunë, me projekt të gatshëm aplikuam dhe u miratuan 24 milion denarë ku edhe kanë filluar punët ndërtimore. Ndërsa për rregullimin e oborrit të shtëpisë së kulturës, ku e shohim të gjithë se në çfarë gjendje është, nga agjencia për përkrahje financiare u miratuan 12 milion denarë. “

Ministri i Kulturës Hysni Ismaili theksoi se dëshira e banorëve të kësaj ane tashmë po merr formë, duke nënvizuar se një gjë e tillë po ndodh falë përpjekjeve të kabinetit të tij dhe paraardhësit të tij në ministrinë e kulturës, Asaf Ademit. Ai vlerëson se kjo shtëpi e kulturës në të ardhmen do të ketë një rol të veçantë në zhvillimin e jetës kulturore në këtë rajon dhe do të jetë një shpresë për mosikjen e të rinjëve nga vendi.

Hysni Ismaili, Ministër i Kulturës
“Besojmë dhe shpresojmë se ky do të jetë një vend që do t’i lidh banorët, rininë, do ta pasurojë jetën kulturore të gjithë banorëve të kësaj ane. Gjithashtu besojmë se do të jetë një shpresë për mosikjen e të rinjëve, se siç e dini e kemi atë problem që rinia po na ik. Ne po mendojmë se me themelimin e kësaj shtëpia, sadopak edhe pse është një kontribut i vogël, prap është një kontribut që ta pengojmë ikjen e rinisë të kësaj ane.”

Ismaili shtoi se ministria e kulturës është promotor i kësaj ideje, duke nënvizuar se po këmbëngulin që procese të tilla të ketë edhe në vende tjera si Bogovinë, Gostivar, Vrapçishtë dhe të tjera. Ndërsa zëvendës drejtori i Agjencisë për mbështetje financiare për bujqësi dhe zhvillim rural, Abdulselam Selami tha se përveç investimit mbi 11 milion denarësh për oborrin e shtëpisë së kulturës, Agjencia ka edhe projekte të tjera. /SHENJA/