ITSHKSH-Shkup formon qendra rajonale të trashëgimisë kulturore

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, ka marrë vendim për zgjerimin e kapaciteteve të veta strukturore edhe nëpër qytetet tjera, me qëllim të vjeljes, studimit dhe prezantimit të vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Këshilli i Institutit, konform normave statutare, në mbledhjen e mbajtur më 19 nëntor 2019, vendosi që në kuadër të Departamentit të Muzeologjisë, të themelojë gjashtë qendra rajonale të trashëgimisë kulturore (QRTK), krahas Qendrës Përkujtimore të Eksodit “Bllacë ‘99”. Kështu, është vendosur që të themelohet:

-QRTK në Strugë “Dervish Hima”, e cila do të përfshijë pellgun e Ohrit;
-QRTK në Manastir “Qiriazët”, e cila do të përfshijë rajonin e Pellagonisë;
-QRTK në Kërçovë “Nëna shqiptare”, e cila do të përfshijë rajonin e Kërçovës;
-QRTK në Dibër “Josif Bageri”, e cila do të përfshijë rajonin e Dibrës dhe Rekës;
-QRTK në Tetovë “Deralla”, e cila do të përfshijë rajonin e Pollogut;
-QRTK në Kumanovë “Karadaku”, e cila do të përfshijë rajonin e Likovës e Kumanovës.

Synimi i Institutit me seli në Shkup, është që këto qendra rajonale të trashëgimisë kulturore të funksionalizohen në etapa–etapa, me objekte dhe kuadër profesional vendor. Ato njëkohësisht do të shërbejnë edhe si muze, në të cilat do të mund të prezantohen vlerat e trashëgimisë së kulturës shpirtërore e materiale të shqiptarëve të këtyre viseve, e të cilat deri më tani kanë qenë të paeksploruara dhe të paekspozuara.