Schoolture TV

Dritare kulturore për të rinjtë

ITSHKSH: Konferencë shkencore për veshjet tradicionale në trevat shqiptare

Në pajtueshmëri me masat dhe rekomandimet e vendosura nga institucionet kompetente shtetërore lidhur me pandeminë e shkaktuar nga Kovid-19, sot Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, e realizoi konferencën shkencore “Veshjet tradicionale në trevat shqiptare”. Koordinatori i konferencës, Sefer Tahiri, thekoi se kjo konferencë është vazhdimësi e ciklit të përvitshëm të konferencave të Insitutit, që zhvillohen nën siglën e “Javës së trashëgimisë kulurore”. Më tej Tahiri sqaroi se për shkak të gjendjes së krijuar, kjo konferencë sivjet zhvillohet duke ruajtur masat e distancës fizike, ashtu që disa nga prezantimet do të zhvillohen nga salla e konferencave të Institutit, pa publikë, kurse prezantimet tjera të autorëve nga Kosova e Shqipëria do të zhvillohen në formatin ‘online’.
Në hapje të konferencës shkencore, fjalë përshëndetëse pati drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, i cili theksoi faktin që përkundër gjendjes së përgjithshme të krijuar në vend dhe në botë, Instituti po vazhdon me realizimin e plan-programit të paraparë, duke iu përshtatur rrethanave të krijuara. Sipas tij, kjo konferencë e sotme ka një rëndësi të madhe për studimin dhe ruajtjen e një pjese shumë domethënëse të trashëgimisë sonë kulturore, siç janë veshjet tradicionale shqiptare. Sot me kontributet e tyre hulumtuese-shkenore paraqiten studiues nga shumë treva shqiptare, të cilët pasqyrojnë arritjet e tyre në këtë fushë të etnologjisë, u shpreh drejtori Asani.
Më pas, punimet e tyre i prezantuan studiuesit: Rini Useini nga ITSHKSH – Shkup (me temë “Veshjet tradicionale në trevat shqiptare- vështrim etnologjik“), Afet Jashari – etnolog i punësuar në Ministrinë e Kulturës së Maqedonisë së Veriut (“Venbanimet e Karshiakës që kanë ruajtur veshjet popullore”), Nexhat Çoçaj nga Universiteti UBT – Prishtinë (“Aspekti informativ në veshjen e grave të Hasit”), Idaete Sinani nga ITSHKSH – Shkup (“Veshjet tradicinale të grave në fshatin Krushopek të Shkupit”), Gureta Bajrami – Breznica nga Universiteti i Tiranës (“Veshja – kulturë materiale dhe shpirtërore, si tregues i mënyrës së jetesës së shqiptarëve në rajonin e Kumanovës në shek. XX”), Minir Ademi nga ITSHKSH – Shkup (“Veshjet popullore shqiptare në trevën e Karadakut të Kumanovës”), Angjelina Hamza-Hasanaj dhe Vlorë Fetaj- Berisha nga Instituti Albanologjik i Prishtinës (“Veshja tradicionale e femrave në Rrafshin e Dukagjinit- Kosovë”), Besnik Rameti nga ITSHKSH – Shkup (“Veshjet tradicionale në Derven të Shkupit“), Hiriet Ziberi nga Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani” (“Përpunimi i veshjeve të grave në Malin e Thatë”), Bekim Ramadani nga Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani” (“Qerim Etemi, mjeshtër i prodhimit të veshjeve tradicionale”), si dhe Sali Islami nga ITSHKSH – Shkup e Bunjamin Xhemaili nga Muzeu Arkeologjik i Maqedonisë së Veriut (“Veshjet ilire në disa gjetje arkeologjike para pushtimit romak“).