ITKSH-së i akreditohet programi i magjistraturës -Kulturologjia

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup ka marrë pëlqimin nga Këshilli i Akreditimit dhe Evoluimit të Arsimit Sipëror në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për akreditimin e programit studimor të magjistraturës: Kulturologjia. Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Institutit, Skender Asani, i cili këtë e ka cilësuar si një lajm të shkëlqyeshëm për zhvillimin shkencor dhe arsimor të institucionit që ai e drejton.
“Suksese studentëve të rinj magjistrantë, në një program të veçantë studimor, dhe me spektër të gjerë të fushëveprimit interdiciplinar! Së shpejti vijojnë procedurat e regjistrimit”, ka paralajmëruar Asani.
Ndryshe, programi studimor i ciklit të dytë studimeve: Kulturologjia, përfshin drejtimet studimore të fushës së shkencave shoqërore dhe humane. Studimet zgjasin dy vite akademike, përkatësisht katër semestra, dhe në fund të ciklit studenti pajiset me 120 kredi dhe merr titullin: Magjistër i kulturologjisë.