Pas qetësimit të situatës me Covid-19 dhe largimit të masave restiktive në vend, lidhur me organizimet publike, Panairi i Librit rikthehet sërish në qytetin e Shkupit. Nga sot e deri më 9 maj të gjithë dashamirët e librit mund të drejtohen në sallën Boris Trajkovski për tu bërë pjesëmarrës të këtij panairi.
Organizatorja e Panairit të Librit, Daniela Gligorovska ka dhënë detaje shtesë lidhur me këtë eveniment.
“Pasi tanimë jemi në nje atmosferë më të qetë nga ndalesat dhe lejohen organizimet në ambiente të mbyllura, Panairi i Librit rikthehet serish për lexuesit dhe ata që janë vizitues të rregullt në panairet tona. Ne po i presim dashamirët e librit nga data 3 deri me 9 maj që të na vizitojnë me fillim nga ora 10:00 deri në ora 20:00”, tha Gligorovska.
Ajo tha se presin dhe grupe me nxënës nga shkollat fillore dhe të mesme të vendit që të bëhen vizitorë të panairit.
“Përsëri mund të kemi nxënës nga shkollat fillore dhe të mesme të vendit që do na vijnë si vizitorë, kjo na bën të jemi të gëzuar sepse po krijojmë një brez të ri të lexuesve”, u shpreh Gligorovska.