Prej sot Mali Sharr është zonë e mbrojtur

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikim Hapësinor njoftoi se në mbledhjen e sotme qeveritare u miratuan nismat për mbrojtjen e dy zonave në Maqedoninë e Veriut: Mali Sharr dhe malet e Osogovës.

Qeveria pranoi propozimet e ministrisë për shpalljen e Malit Sharr si zonë e mbrojtur në kategorinë e Parkut Nacional dhe shpalljen e maleve të Osogovës për zonë të mbrojtur në kategorinë e 5-të, njofton Telegrafi Maqedoni.

Sipas procedurës ligjore për shpalljen e zonave të mbrojtura, gjatë periudhës që vjen do të ketë debate publik me propozim të popullatës lokale, si dhe me të gjitha palët e prekura, dhe pas harmonizimit të mendimeve dhe vërejtjeve do të përgatiten propozimet përfundimtare për shpalljen e këtyre dy vendeve.

“Shpallja e këtyre dy zonave që përmbajnë vlera biologjike dhe kulturore për zona të mbrojtura, krahas përmbushjes së obligimeve nacionale dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e biodiversitetit, gjithashtu do të thotë edhe potencial i madh për ekonominë lokale”, thotë ministri Nuredini.