Ndryshimet nuk vijnë nga qielli

I dashur shqiptar i këtij nënqielli, i zhgënjyer e plot pezëm!

I cili e dëshiron fort, por ja që heziton, e herë-herë kalkulon, dyshon dhe kështu heq dorë nga ndryshimi. Po deshe që ky vend të ndryshosh, mirë është që t’i kesh parasysh disa këshilla që janë akumulim i një përvoje të gjatë në këtë habitat:
• Para së gjithash, duhet të besosh në një gjë. Njeriu është i aftë të realizojë gjithfarë atë që mund ta mendojë dhe imagjinojë. Ne nuk mund të konkretizojmë të pamendueshmen. Mjafton të besosh.
• Mos lejo që fati yt të determinohet nga vetëbesimi i injorantëve dhe mungesa e vetëdijshmërisë sate. Nuk ka mundësi që injoranca të shtyp vetëdijen dhe guximin e saj.
• Ndryshimi nuk është proces politik që mund t’i atribuohet e aq më pak të realizohet si mision një partie politike. Ndryshimi. Mbi të gjitha është frymë, proces i stërzgjatur që kërkon një këmbëngulje heroike, dije të përditësuar, urtësi dhe dekolonizim nga mendësia dështuese.
• Ndryshimi, edhe pse nxitet nga politika ai shumë lehtë mund të shtrembërohet dhe transfigurohet po nga vet ajo. Ndryshimi fillimisht është bindje, e më pastaj shpërfaqet si reflektim kulturor dhe artistik. Rrënjët e saja fshihen nga një pjekje e thellë metafizike.
• Problemet shoqërore me të cilat përballesh; frustrimet seksuale, konfliktuoze, personale e ambientale; mungesën e perspektivës në vendin tënd dhe për shumë gjëra të tjera; faj nuk të ka opozita shqiptare në Maqedoni. Ajo është në fillet një kthelljeje dhe organizimi të mirëfilltë, përgjegjësia e të cilës do jetë e madhe.
• Mos harro se po deshe të gjesh ndonjë fajtor atëherë bëj një analizë retrospektive pa harruar se partia në pushtet është që nga dita kur ke lindur ose dita kur ke shkuar për herë të parë në shkollë. Shpërfillja e këtij fakti është akt hipokrit dhe ndryshimi është një dërdëllitje.
• Pritjet e mëdha të shpijnë në zhgënjime të mëdha, por ama veç kur ke përpjekje të vogla dhe të befta. Puno fort, i zhytur në përpjekje të rënda por pa harruar fatin e Sizifit. Ndryshimet e mëdha duan kohë të mëdha. Mjafton që në kohëra si këto, kur e keqja dhe e mira, e drejta dhe e padrejta janë kaq të qarta, mjafton të radhitesh përkrah të mirës dhe të drejtës.
• Mos e kërko perfeksionin tek të tjerët, nëse nuk arrin ta gjesh te vetvetja. Para se të gjesh fijen e flokut tek të tjerët, shih trarin para syve.
• Në këto kohëra, duhet të kemi mendësi selektive të së mirës. Përpiqu të ofrosh e të ofrohesh me njerëz të cilët përpiqen ta ndryshojnë vetveten; me urtësi, në paqe, pa u dyshuar se e vërteta është me të drejtin dhe herët a vonë ajo do të triumfojë.
• Njerëzit vlerësojnë më shumë sakrificën e bazuar në ide sesa vetë idenë. Bëhu model i sakrificës që të të respektohet e mishërohet ideja.
• Ndryshimet nuk vijnë nga qielli, por veç nga zemrat që lidhen me qiellin prej ku edhe buron liria, pafundësia jonë. Ti je qenie e lirë për të guxuar, për të ditur dhe vepruar.
• Njeriu nuk është pasojë e gjykimeve që ka për të tjerët, por është pasojë e vendimeve të tij, që i merr si mësim nga pësimet e veta dhe të të tjerëve.

Latif Mustafa