Hapja e negociatave me BE-në – Krejt çka ndodhi sot në Bruksel

“Pas 17 viteve pritje, Maqedonia e Veriut përfundimisht hap portat e mëdha drejtë BE-së. Sot u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare politike, ndërsa hapja e kapitujve do bëhet vetëm pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese të cilat i kërkon Republika e Bullgarisë”, raporton gazetari i Alsat, Adrian Kerimi.

Fjalimi i përfaqësuesit të Republikës Çeke e cila ka presidencën me Këshillin e BE-së u prit me duartrokitje.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se kjo ditë është historike, për të është punuar shumë dhe janë sjell vendime të dhimbshme, ndërsa meritor për këtë janë qytetarët me durimin e tyre.

“Sot pata nderin e madh të flas në gjuhën time amtare maqedonase para 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Konferencën Ndërqeveritare me të cilën po hapim negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Fillimisht dëshiroj t’i përgëzoj qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ata janë më meritorët për ditën e sotme. Ata nuk iu dorëzuan asnjë sfide, para maleve me lëshime dhe kompromise të vështira, për të përmbushur ëndrrën e tyre për t’u qenë anëtare familjes evropiane. Për të realizuar këtë objektiv strategjik kemi bërë shumë. Ne morëm vendime të vështira që kërkonin udhëheqje dhe guxim, mençuri dhe përgjegjësi. Vendime patriotike në interes të së ardhmes së fëmijëve tanë dhe të vendit. Këto vendime shtetërore janë një tregues i vërtetë se si duhet shteti”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lajen potencoi se vendi ka merituar fillimin e negociatave falë reformave të zbatuara, shtetit ligjor dhe guximit të treguar ndaj partneritetit strategjik pikërisht në kohën kur siguria Evropiane dhe jo vetëm janë nën cenimin e agresionit rus. Ajo potencoi se Marrëveshja për FRONTEX është në gjuhën maqedonase, duke bërë të ditur njohjen e gjuhës maqedonase në nivel të unionit.

“Ky është një moment historik. Keni treguar shumë përkushtim për vlerat tona, keni pasur besim te procesi, keni zbatuar shtetin ligjor, keni mendjen e lirë, keni bërë shumë reforma, e keni modernizuar ekonominë tuaj, ju i keni bërë të gjitha këto ndryshime jo vetëm aty ku janë të detyrueshme, por sepse janë të mira për vendin tuaj dhe po japin një cilësi më të mirë jetese. Ju keni treguar kaq shumë lidership dhe vizion, durim strategjik me sasi të mëdha dhe në këto kohë me sfida të mëdha të sulmit brutal rus, ju keni treguar bashkimin tuaj me vlerat evropianë si partnerë të vërtetë”, u shpreh Ursula Von Der Lajen, Presidente e Komisionit Evropian.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Oliver Varhejli vlerësoi vendimin e Qeverisë për të konsultuar Kuvendi mbi propozimin francez. Ai tha se veprimet e tilla demokratike janë rruga e vetme e cila çon Evropën para.

“E di që nuk ishte e lehtë, por e zgjodhët procesin më demokratik, e pyetët Kuvendin dhe kjo tregoi qartë. Të zgjedhurit e popullit treguan qartë se duan që kjo të vazhdojë dhe procesi qasës të përshpejtohet. Evropa gjithashtu mori vendim dhe u pajtua me Kuvendin tuaj. Këto janë momentet që na nevojiten, momente të cilat do ta çojnë përpara Evropën”, theksoi Oliver Varhejli, Përfaqësues i lartë i BE-së.

Varhejli dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq filluan zyrtarisht procesin e skriningut. Faza e shoshitjes së institucioneve nga ekspertët Evropian pritet të zgjatë deri në dy vite e gjysmë. Ndërkohë përfaqësuesit bullgarë në Këshillin e BE-së përshëndeten vendimin për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut duke vlerësuar se tani e tutje kërkohet përkushtim dhe angazhim edhe më i madh për të pasur rezultat konkret ashtu siç tha rezultat propozimi francez. Letra e përfaqësuesve nga Sofja në BE mbyllet me një porosi për dyja vendet: Bullgaria do të mbështesë integrimin e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë në Bashkimin Evropian./ Alsat.mk