Lidhja Kombëtare e Personave të Verbër të Republikës së Maqedonisë së Veriut sot e promovoi audio librin “Ky nuk është fundi” që i kushtohet Toshe Proeskit, si dhe revistën mujore me zë “Panorama”, e cila është lajmëtari i Lidhjes për Informimin e personave të verbër dhe personave me shikim të dobësuar nga vendi dhe rajoni.
Në promovim, fjalim mbajti ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, i cili mes tjerash tha: “Ministria e Kulturës me vite të tëra e ka mbështetur veprimtarinë botuese të Lidhjes Kombëtare të Personave të Verbër të Republikës së Maqedonisë së Veriut pasi punojmë me përkushtim për t’i zbatuar politikat tona për t’i tejkaluar dallimet, për t’i prishur barrierat, për t’i ulur kufijtë dhe dallimet ndërmjet njerëzve nga të gjitha llojet.”
Në ceremoninë në Lidhjen Kombëtare të Personave të Verbër, të organizuar me rastin e 15 tetorit – Ditës Botërore të Shkopit të Bardhë, fjalim mbajti kryetari i Lidhjes, Zharko Selkovski, ndërsa u promovuan edhe numrat e fundit të revistës “Panorama”.