Bashkim Mexhiti dhe Ilirjan Beqiri nga Maqedonia e Veriut me ekspozitë në Berlin të Gjermanisë

Sot, në galerinë Prima Centar Berlin – Berlin në Gjermani, do të hapet ekspozita e titulluar “TRACES OF CULTURAL” e dy piktorëve të mirënjohur shqiptar nga Maqedonia, Bashkim Mexhiti dhe Ilirjan Beqiri.

Në këtë ekspozitë, artdashësit gjerman do ta kenë mundësinë që për së afërmi të njihen dhe shijojnë bukurinë e universales dhe tradicionales të prezantuara ne tablotë e dy artistëve, si dy koncepte thelbësore që vërehen në opusin e gjatë të krijimtarisë së tyre; Koncepte këto, që në mënyrë mjeshtërore harmonizohen si në aspektin figurativ po ashtu edhe në atë koloristik.

Bashkim Mexhiti, nëpërmjet ekspresionizmit abstrakt dhe ekspresionizmit lirik, shpreh specifikat etnike dhe kulturore të proviciencës së tij, duke i ofruar publikut një mundësi të hapur në perceptimin dhe përjetimin e lirë të veprave artistike.

Në tablotë e Ilirjan Beqiri si motiv kryesor është peizazhi, pikturuar në frymë ekspresioniste, ku trajton temën e jetës së përditshmërisë nga nënqielli i proviciencës së tij me shumë mesazhe për kohën e trazuar në të cilën jetojmë.

Përndryshe që të dy janë mësimdhënës ne Fakultetin e Artit Figurativ pranë Universitetit të Tetovës, me shumë ekspozita personale dhe kolektive, brenda dhe jashtë shtetit.

Përndryshe, ekspozita në fjalë është financuar nga ana e Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë Veriore.