Shkolla e mesme “Cvetan Dimov” do të bëhet me fasadë të re

Shkolla e mesme e Qytetit të Shkupit “Cvetan Dimov” është edhe një shkollë që do të bëhet me fasadë të re energjetike efikase. Në fillim të punëve ndërtimore mori pjesë kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

“Fasada e re energjetike efikase e ‘Cvetan Dimovit’ do të ketë stil specifik vizual dhe estetik, gjegjësisht do të jetë e qelqtë me panele kompozite alumini në ngjyrë. Ky rikonstruksion do të kursejë energji dhe më lehtë do të mbahet temperatura në periudhën e dimrit dhe të verës në shkollë. Nxënësit dhe profesorët do të kenë kushte më cilësore dhe më dinjitoze për mësim”, tha Shilegov.

Vitin e kaluar gjysma e shkollave u bënë me fasadë energjetike efikase, në gjysmën tjetër të shkollave  është rikonstruktuar brendësia në pajtim me nevojat, janë siguruar bursa për mbi 100 nxënës të shkollave të mesme sportistë dhe janë angazhuar 17 asistentë arsimore për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore.