Schoolture TV

Dritare kulturore për të rinjtë

Protestë në “Pançe Karagjozov”! Qindra nxënës me prindër protestuan, por sërish hynë në provim

Qindra prindër me fëmijë protestuan sot para shkollës së mesme të qytetit të Shkupit “Pançe Karagjozov”. Kërkonin që të mos mbahet provim selektues, pasi siç thonin është rrezik të mbahet në kohë epidemi.

Provimi sipas tyre ishte edhe diskriminues, sepse provimin nuk e mbajnë edhe paralelet maqedonase.  Kërkonin të hapet edhe një paralele për drejtimin motër medicinale.

“Provimi do të mbahet në mënyrë fizike, gjë e cila nuk është e drejtë sepse rrezikohemi nga virusi në këtë gjendje pandemie. Pala tjetër nuk mbajnë provime, edhe ne kemi të drejta të barabarta. Meqë numri ynë është më i madh, atëherë kërkojmë që të hapet paralele shqipe”, tha Dhurata Ali, nxënëse

Prindër: “Si është e mundur që 165 nxënës me notë mesatare 5.00 me 75 pikë nuk mund të hapet një paralele. Kjo është absurde”

Por pasi disa prindër hynë në konsultim me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, vendosën t’i fusin fëmijët në provim pranues.

Disa që u vonuan, u kërkonin edhe pasaportë për t’i identifikuar. Ndërkaq, tërë kjo rrëmujë kaloi pa ndërhyrje të policisë edhe pse ishte e pranishme aty.

I pyetëm prindërit, se pse në fillim thatë se do të bojkotojnë dhe më pas i futën fëmijët në testim?

Prindër: “Situata ndryshoi sepse pati keqkuptim mes prindërve, sepse brenda u futën 5 prindër. Ishte një zonjë prej ministrisë, ishte si përgjegjëse për të gjitha shkollat e mesme dhe ajo bëri lutje. Ju lutem tha që t’i lejnë nxënësit që ta japin provimin pranues. Përndryshe ne prindërit diskutuam. Dy ishim kundër, tre ishin “pro”. Ata tre që ishin “pro” ishin njerëz partiak, ashiqare shihen”

TV21: Keni kërkuar takim me drejtoreshën?

-“Kemi kërkuar, por askush nuk na është paraqitur”.

Drejtoreshën e kërkuam edhe ne, por ajo kur i pa kamerat para zyrës ktheu mbrapa dhe e mbylli zyren. Nga Ministria e Arsimit nuk dëshiruan të japin qëndrim, pasi siç thonë provimi selektues nuk është diçka e re në këtë shkollë dhe është paralajmëruar që nga marsi.

Provimi pranues duhej të mbahej edhe në shkollën “Orce Nikollov”, por atje është anuluar për shkaqe të sigurisë.

Protesta ishte për drejtimin motër medicinale, ku në afatin e parë kushtet për regjistrim i kishin plotësuar 165 nxënës, dhe meqë numri tejkalon numrin e paraleleve aktive të cilat janë 3, është vendosur selektimi të kalojë nëpërmjet provimit pranues.

Burimi: TV21