Ndërpritet bojkoti në Tetovë, nxënësit iu kthyen platformës “online”

Nxënësit e shkollave të mesme të Tetovës, i kthehen mësimit online, edhe pse paralajmëruan vazhdimin e bojkotit.

Drejtoresha e gjimnazit të Tetovës, Teuta Llalla, tha se kohë pas kohe kanë pasur pengesa me platformën online, por pret që situata përmirësohet me përforcimin e internetit por edhe me angazhimin e teknikëve të mirëmbajtjes, që në këtë shkollë i ka dërguar Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

“Sa i përket shkollës tonë, gjithçka shkon drejt përmirësimit. Pjesën teknike e kemi gjithën të rregulluar por duhet të bëhet përforcimin e rrjetit të internetit që na vjen nga Ministria e Arsimit. Por edhe këtë çështje po e rregullojmë, patë që ishte tekniku i Ministrisë së Arsimit dhe besoj që brenda ditës, kjo çështje do të rregullohet”, deklaroi Teuta Llalla, drejtoreshë e Gjimnazit të Tetovës.

Situata e ngjashme paraqitet edhe në shkollën e mesme të mjekësisë, e cila njihet si shkolla më e ngarkuar për nga numri i nxënësve.

“Pasi që jemi shkollë e madhe e keni parasysh, edhe tek ne ka pak probleme me rrjetin mirëpo jemi në përpunim e sipër. Kemi angazhuar edhe disa kompani të tjera për ta përforcuar më shumë internetin që të mos kemi probleme në të ardhmen. Por shoh që shumica e kolegëve mbajnë mësimin online dhe nxënësit janë të kyçur në platformën që po punojmë”, u shpreh Isan Emini, drejtor i Sh.M. Mjekësisë – Tetovë.

Pengesat më të mëdha vazhdojnë t’i përjetojnë fshatrat e malësisë së thellë të Sharrit, ku për dallim prej shkollave të qytetit, kanë internet tejet të dobët, që pamundëson lidhjen e tyre në platformë. /Zhurnal.mk