MSH/ Prindërit dhe mësimdhënësit të vaksinohen që të mos ketë ndërprerje të mësimit

Para fillimi të vitit të ri mësimor, vendet e rajonit tashmë i bënë të ditur vendimet se mësimi për shkolla do të zhvillohet me prezencë fizike me protokolle, për dallim nga viti i kaluar, ku në shumicën e shteteve kishte mbyllje totale të shkollave.

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut pajtohen se shëndeti i nxënësve është prioritet, por në mënyrë që edhe gjendja epidemiologjike të jetë stabile dhe mësimi të mbahet pa pengesa deri në fund të vitit mësimor, e domosdoshme është vaksinimi i popullatës.
Në Maqedoni viti i ri mësimor do të fillojë me prezencë fizike edhe në shkollat fillore edhe në ato të mesme, ndërsa sipas MSHA-së, kjo strategji u tregua e suksesshme kur 40% e nxënësve ndoqën mësimin me prezencë fizike.

Për ndryshimin eventual të mësimit do të vendos Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, ndërsa krahas mësimit me prezencë fizike janë paraparë edhe dy skenarë të tjerë, ai i kombinuar dhe me mësim online.