Ministrja Trençevska: Ngrohje për kopshtet do të ketë

Nuk duhet të frikësohen as prindërit, as komunat se mund të mos ketë ngrohje për kopshtet. ngrohje do të ketë edhe për qytetarët edhe për kopshtet, sepse Qeveria është përgjegjëse, kujdesemi për qytetarët dhe e menaxhojmë krizën energjetike, deklaroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.
Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve në takimin e sotëm të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe Këshillit nacional për barazi gjinore, Trençevska theksoi se ngrohje për kopshtet dhe të gjitha institucionet e tjera do të ketë, si dhe se kopshtet nuk janë me rrymë industriale, e me këtë, siç theksoi, nuk kanë fatura të mëdha, ndërsa disa prej tyre janë me efikasitet energjetik, me çka kursejnë energji elektrike.

“Krahas bllok dotacioneve për rrogat, që MPPS i paguan, transferojmë mjete për shpenzime materiale. Megjithatë kopshtet i kanë mjetet e veta, si pagesa e prindërve për vendosje të fëmijëve në kopshte, kështu që përgjegjësi për pagesën e taksave komunale, përfshi edhe faturat për energji elektrike është obligim i themeluesit të kopshtit, e ajo është Komuna”, shtoi ministrja.