Dhjetëra maturantë të disa shkollave të mesme u mblodhën në protestë para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) në Shkup me kërkesë për shkurtimin e materialit për provimin e maturës shtetërore, raporton Anadolu.
Maturantët, të organizuar përmes Organizatës për Dialog dhe Afirmim të Nxënësve të Shkollave të Mesme (ODAS), thanë se gjatë katër viteve të shkollimit të mesëm kanë qenë dëshmitarë të ndërprerjeve të mësimit apo ndjekjes së mësimit online.
Duke mbajtur një pankartë ku shkruhej “Kërkojmë nga MASH t’i kenë parasysh kërkesat tona”, ata rikujtuan se në vitin 2020, kur ndiqnin mësimin në vitin e parë të arsimit të mesëm, mësimi u pezullua për disa muaj për shkak të koronavirusit (COVID-19).
“Ne po protestojmë për të shkurtuar materialin për provimin e maturës për shkak të gjitha pengesave që na dolën në arsim. Pasi filloi korona më 10 mars (2020), viti i parë, brezi ynë po humbiste mësimin, kështu që ne nuk ndoqëm mësim për ata tre muaj deri në fund të vitit”, tha nxënësi Dragan Dimov.
Ai shtoi se vitin pasues, mësimi u zhvillua online, duke theksuar se një mësim i tillë nuk ishte cilësor dhe se nuk mund të realizohej kur bëhet fjalë për shkollat profesionale që kanë edhe mësim praktik.
Gjatë vitit të tretë të arsimit të mesëm, Dimov thotë se ka pasur përsëri pengesa në mësimdhënie.
“Greva e profesorëve gjithashtu na shkaktoi problem, po ashtu edhe greva e NTP-së (Ndërmarrjes së Transportit Publik) këtë vit, si dhe alarmet për bomba që vazhdojnë dhe duam që Ministria e Arsimit t’i ketë parasysh kërkesat tona, të na shkurtojë materialin e maturës shtetërore, në mënyrë që të mund të plotësojmë nevojat tona për regjistrim në fakultet”, tha Dimov.
Ai theksoi se nëse nuk shfuqizohet provimi i maturës shtetërore, të paktën të lehtësohet materiali për këtë gjeneratë maturantësh.
Dimov njoftoi se protesta dhe bojkotimi i mësimit do të mbahet çdo ditë, duke shtuar se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, do të bojkotojnë edhe provimin e maturës shtetërore.