Në fundjavën e fundit të korrikut dhe fundjavën e parë të gushtit, në Gostivar do të mbahet “The Park Festival”, ngjarje kjo që pritet të shënojë një kthesë dhe të lë gjurmë në jetën kulturore të Gostivarit. Organizatorët e festivalit Inbox Entertainment thonë se do të japin maksimumin që ky festival të dalë sa më I suksesshëm dhe sa më i vizituar, dhe se kanë për synim që i njëjti të shëndërrohet në tradicional.
“Kemi të bëjmë me një mega-prjekt i cili peshon diku rreth 70 mijë euro, nga të cilat 50 mijë I financon Ministria e Kulturës në kuadër të programit vjetor për vitin 2018, me 10 mijë euro e mbështet Komuna e Gostivarit me vendim të Këshillit komunal, ndërsa 10 mijë euro mjete vetanake. “Vlen të theksohet se Festivali ka karakter multietnik, ku do të performojnë emra të njohur si nga vendi ashtu edhe nga jashtë|”, thekson drejtori i Festivalit- Jeton Veseli, duke nënvizuar se e veçanta e këtij festivali është se, hyrja në të gjitha gjashtë netët do të jetë e lirë për qytetarët.
“The Park Festival” do të realizohet në katër lokacione në parkun e madh të qytetit dhe në shëtitoren e lumit Vardar, ku skena kryesore dhe tejet atraktive për natën përmbyllëse të festivalit do të jetë e vendosur mbi shtratin e lumit Vardar.
Organizatorët bëjnë me dije se do të jetë kjo një ngjarje e paparë derimë tani në Gostivar, e kapshme për të gjitha grup-moshat. Do të përfshihen shumë zhanre muzikore duke filluar nga hip hop, muzika elektronike, rock e deri tek jazz-i ku do të performojë një emër i njohur evropian. Drejtroi Artistik i festivalit Erton Veseli thekson se përzgjedhja e artistëve është definuar dhe se detaje rreth këtij festivali dhe emrat e pjesëmarrësve, do t’i shpalosin në vazhdimësi dhe gradulalisht.
“The Park Festival” do të mbahet më 26, 27, 28 korrik dhe 2,3,4gusht data këto që përputhen me qëndrimin e mërgimtarëve tanë në vendlindje. Pritet që ky festival të ketë një vizitueshmëri të madhe, si nga adhuruesit e muzikës në Maqedoni ashtu dhe nga vendet fqinje. /Alsat/