INTERVISTA/ Çka na pret në “Matka Summer Fest”, flet Besfort Idrizi

“Matka Summer Fest 2019”, është festivali që do të mbahet në datat 28 dhe 29 qershor. Ky festival ka për qëllim pasurimin e ofertës turistike në Matkë.

Schoolture.info ka realizuar një intervistë me Besfort Idrizin, i cili është edhe ideator i festivalit.

Ai tha se synimi i tyre është që nëpërmjet këtij festivali t’i jepet kulturës dhe artistëve një impuls të ri që do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e Matkës si qendër turistike dhe kulturore.

Schoolture: Si lindi ideja për “Matka Summer Fest”?

Besfort Idrizi: Kohën e fundit jemi dëshmitarë të një zhvillimi dhe pasurimi të ofertës turistike në Matkë, që është për tu përshëndetur, por i gjithë ky pasurim është kryesisht në sektorin e biznesit, ndërsa ato pak aktivitete kulturore që ndodhin, shumica e tyre janë me karakter të mbyllur dhe të organizuara nga komunitete të ndryshme që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në Matkë. Njëkohësisht, vërejtëm që në Matkë edhe pse gjatë ditës numri i vizitorëve është i madh, në mbrëmje ky numër bie gati se në zero. Besojmë që ky dallim mes numrit të vizitorëve të ditës dhe atyre gjatë natës është kryesisht për shkak të mungesës së ofertës dhe përmbajtjeve të ndryshme kulturore dhe evenimenteve që do mbaheshin pikërisht gjatë mbrëmjeve. Prandaj pasi e vërejtëm mungesën e evenimenteve kulturore dhe aq më tepër nevojën e Matkës për këto evenimente, vendosëm që të ndërmarrim diçka dhe erdhëm me idenë e një festivali veror në Matkë, festival që do të jetë iterdisciplinar dhe që në vete do të gërshetojë aktivitete të ndryshme nga lëmi dhe fusha të ndryshme të arteve, me theks të veçantë në pasurimin e jetës së natës në Matkë.

Schoolture: Cili është qëllimi me organizimin e këtij festivali?

Besfort Idrizi: Besojmë dhe synojmë që Matka Summer Fest t’i sjell disa dobi Matkës, dhe atë: të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e turizmit, rritjen e numrit të vizitorëve, pasurimin e jetës kulturore, pasurimin e jetës së natës, si dhe disperzimin e ngjarjeve kulturore nga qendra e Shkupit drejt rrethinës së tij. E gjithë kjo sigurisht që do të ndikojë pozitivisht edhe në bizneset lokale në Matkë, veçanërisht ndaj atyre bizneseve që janë të lidhura me turizmin dhe vizitorët e Matkës. Thënë shkurt, synojmë që përmes këtij festivali t’i japim kulturës dhe artistëve në përgjithësi, dhe Matkës në veçanti një impuls të ri që do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e Matkës si qendër turistike dhe kulturore.

Schoolture: Çka do të përmbaj, na shpjegoni në pika të shkurta?

Besfort Idrizi: Evenimenti qendror i festivalit janë koncertet që do të mbahen më datë 28 dhe 29 qershor me fillim në ora 21, ku do të marrin pjesë Blla blla blla… dhe Offchestra (28 qershor) si dhe Muhamed Ibrahimi dhe Jericho (29 qershor) të cilët do të jenë të përcjellë nga dj Electron dhe dj Pitti.

Krahas evenimentit qendror, si program plotësues do të jenë edhe ekspozita disaditëshe me fotografi nga Matka të bëra nga gjashtë fotograf të rinj (Arbnora Memeti, Ana Ristevska, Erkan Ramadani, Mirsad Bekir, Stefan Semandov dhe Zoran Shekerov), si dhe performance tjera që do të mbahen disa ditë para koncerteve qendrore.

Schoolture: Cilët janë pritshmëritë nga ky festival?

Besfort Idrizi: Tani për tani, pasi bëhet fjalë për edicionin e parë të këtij festivali, ende jemi në fazë eksperimentale dhe nuk mundemi me precizistet të flasim për numra të saktë për sa i përket vizitorëve dhe të interesuarve rreth përmbajtjeve të festivalit, por mundemi të themi që interesimi që është treguar deri më sot për këtë festival, ka tejkaluar pritshmëritë tona. Kjo për sa i përket këtij edicioni në veçanti, ndërsa nëse flasim në përgjithësi për pritshmëritë tona, do mund të themi që presim që autoritetet të tregojnë interesim për përkrahje të Matka Summer Fest dhe kjo fillimisht për arsye të nevojës për një festival të tillë për shkak të potencialit dhe vlerave kulturore, artistike dhe turistike që i përmban në vete ky festival. Po ashtu presim që në të ardhmen ky festival të marrë status të festivaleve tradicionale dhe të mbahet për çdo vit duke e pasuruar programin e vet për tu rritur në një festival që do ketë aktivitete gjatë tërë verës.

/Schoolture.info/