Në mbledhjen e 136-të të rregullt, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të shqyrtojë Propozim-ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së RMV-së dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë për themelimin e Qendrave kulturore-informative në të dyja vendet, transmeton Portalb.mk.
Në mbledhje do të shqyrtohet edhe Informata në lidhje me tekstin e harmonizuar të Protokollit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të RMV-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi për bashkëpunim në fushën e integrimeve evropiane.
Si material për informim, Qeveria do të shqyrtojë Informatën për kyçjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut në nismën për performansa të mbrojtjes primare shëndetësore.
Ministrat, në mbledhjen e sotme do të diskutojnë edhe për nevojën e miratimit të Programit kombëtar për infrastrukturë hekurudhore për periudhën 2019-2021, me Propozim-Program kombëtar.
Mbledhja e rregullt e Qeverisë është paraparë të fillojë në orën 13:00.